Kosova ndodhet në një moment vendimtar politik, në një periudhë ku zvarritja e proceseve institucionale mund të ketë pasoja për të ardhmen euroatlantike të saj.
Kështu ka vlerësuar ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili përmes një kolumne të shpërndarë për media ka bërë thirrje të qartë për lidershipin politik që të veprojë pa vonesa në formimin e institucioneve të reja.
Në kolumnen e tij, Hargreaves u ka bërë thirrje liderëve të të gjitha subjekteve politike që të tregojnë vendosmëri dhe vizion për vendin, duke theksuar nevojën që Kosova ta marrë vetë iniciativën për të ndikuar në të ardhmen e saj, e jo të jetë e varur nga veprimet e faktorëve të jashtëm.
“Ashtu si po ndodh me marrëdhënien e re Mbretëri e Bashkuar – BE, ai inkurajoi Kosovën të ofrojë pragmatizëm, dhe jo pozicione puriste. Disa vende të Ballkanit Perëndimor po shënojnë përparim të mirë drejt hyrjes në BE. Nëse materializohen hapa konkretë drejt paqes në Ukrainë, mund të përshpejtohet edhe progresi drejt anëtarësimit në BE”, thekson ambasadori britanik.
Në vijim, ai potencoi mbështetjen që Britania e Madhe ka për aspiratat euroatlantike të Kosovës, përfshirë integrimin në NATO, por me kusht që vendi të përmbushë standardet e nevojshme.
“Mbretëria e Bashkuar gjithashtu do të donte ta shihte Kosovën në NATO – atëherë kur forcat dhe mekanizmat e saj të mbikëqyrjes të përmbushin standardet përkatëse. Në mënyrë që të arrihen këto qëllime, Kosova do të ketë nevojë për diplomaci të shkëlqyer aktive – përfshirë marrjen e vendimeve të vështira – për të arritur këto dy qëllime, duhet filluar me hapa të rinj përpara në procesin e normalizimit me Serbinë”, ka deklaruar ai.
Ambasadori britanik po ashtu ka nënvizuar rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, duke e lidhur këtë me përkushtimin e vendit ndaj të drejtave të komuniteteve joshumicë.
“Anëtarësimi i Kosovës mund të votohet në çdo moment – kur Kosova ta ketë kryer punën e vështirë për të bindur shtetet anëtare se korniza e saj ligjore mbresëlënëse mbështetet nga një qëllim i vërtetë për të mbrojtur komunitetet joshumicë”, theksoi Hargreaves.