Pierre Koshar, ambasadori francez në Serbi, në festën e organizuar për nder të Ditës së Bastijes, ka bërë thirrje që Serbia dhe Kosova t’i normalizojnë raportet, pas tensioneve të krijuar në veri.
Koshar tha se populli atje “po vuan nga krizat e përsëritura”.
Diplomati francez theksoi më tej se “është e rëndësishme të arrihet përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Jashtë kësaj, ai ka potencuar se “marrëdhëniet historike vëllazërore” në mes të Francës dhe Serbisë “janë frymëzim për veprim të përditshëm”, duke shtuar se “me këtë ndjenjë vëllazërie, Franca dëshiron ta ndihmojë Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së”.
“E di që Serbia, ashtu si Franca, është e lidhur me pavarësinë dhe identitetin e saj, por së bashku në Bashkimin Evropian ne mund ta mbrojmë edhe më mirë pavarësinë dhe identitetin e Serbisë dhe Francës”, tha ai, transmetojnë mediat serbe.
Ndërkaq, ambasadori francez në Beograd bëri thirrje që Serbia të solidarizohet me BE-në për atë se çka është duke ndodhur momentalisht në kontinentin e vjetër, duke iu referuar agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, kjo pasi që Serbia është nga vendet e pakta në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.
“Ne e dimë për lidhjet që ekzistojnë mes popullit serb dhe rus, populli francez dhe rus gjithashtu kanë lidhjet e tyre, por ne duam që Serbia të jetë vendimtare përballë asaj që është bërë, një regjim rus që po çon në katastrofë”.