Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schiebtha në prag të vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz, ka deklaruar se situata në Kosovë dhe tani në Ukrainën lindore nuk mund të krahasohet.
Ai në një intervistë për gazetën serbe Politika theksoi se gjëja më e rëndësishme është që Serbia, si vend kandidat, të mbrojë vlerat e përbashkëta “krah për krah” me BE-në
Sipas tij, mesazhi kryesor është se Serbisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor i kushtohet një rëndësi e madhe.
“Integrimi i tyre në BE është dhe do të mbetet synimi ynë”, tha ambasadori, duke shtuar se mezi pret vizitat e shumta të politikanëve gjermanë në muajt e fundit.
Schieb deklaroi se Scholz planifikon të shkojë në Serbi më 10 qershor, për të vazhduar bisedimet me presidentin Aleksandar Vuçiq që kishte një muaj më parë në Berlin.
I dërguari i Berlinit në Beograd tha se e ardhmja e Serbisë dhe e rajonit është në BE dhe theksoi se BE-ja është një komunitet me vlera të njëjta.
“Prandaj presim që Serbia, si vend kandidat për anëtarësim, të qëndrojë së bashku me ne në mbrojtje të këtyre vlerave”, tha ambasadori gjerman, transmeton Klankosova.tv.
Ai tha se Serbia vetë e përcakton dinamikën e anëtarësimit në BE, përcjell Tanjug.
“Gjermania po bën gjithçka për ta bërë Rusinë të kuptojë se nuk mund ta fitojë këtë luftë. Solidariteti ndërkombëtar me Ukrainën është i madh dhe jam i sigurt se do të vazhdojë të rritet,” tha Shib.
Duke folur për sanksionet kundër Rusisë, Shib tha se Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, është zotuar që t’i bashkohet politikës së jashtme të BE-së.
“Serbia tashmë i është bashkuar sanksioneve kundër Bjellorusisë dhe ka mbështetur vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në lidhje me luftën e agresionit kundër Ukrainës, e cila shkel ligjin ndërkombëtar. Këto ishin hapa të rëndësishëm. Tani është e rëndësishme të merren qëndrime të tjera të BE-së,” tha ai.
Schieb tha se efekti i plotë i sanksioneve do të realizohet vetëm nëse veprojnë së bashku.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që vendet evropiane ta ndjekin këtë rrugë së bashku. Vetëkuptohet që këtu përfshihet edhe Serbia,” theksoi ai.