Ambasadori Hill: Jemi të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës për të mos shtyrë afatin për targat

Ambasadori Hill: Jemi të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës për të mos shtyrë afatin për targat

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar për shkak të vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos zgjatur afatin për riregjistrimin e automjeteve me targat ilegale serbe, pavarësisht ftesës së SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe QUINT-it.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë periudhën e zbatimit të riregjistrimit të automjeteve. Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë për këtë çështje”, tha ambasadori Hill për gazetën serbe “Blic”.

Ai shtoi se mirëpret vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Brukselit dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë të marrin pjesë në atë dialog.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të marrin pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, shtoi Hill, transmeto Telegrafi.

Pavarësisht kësaj, SHBA-të synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

Kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, besojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe nëse në parim, nuk kanë mospajtime për të.

“Megjithatë, ne kemi kërkuar, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 25 tetor se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati tashmë është shtyrë një herë, dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës. /

Related Articles