Ambasadorja izraelite për heqjen e vizave për Kosovën: Kjo ka qenë një nga prioritetet tona

Ambasadorja izraelite për heqjen e vizave për Kosovën: Kjo ka qenë një nga prioritetet tona

Nga sot, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë drejt Izraelit për qëllime turistike pa pasur nevojë për vizë, për sa kohë që ata disponojnë një pasaportë të vlefshme të Kosovës dhe aplikojnë paraprakisht për ETA-IL.

Ky hap ka ardhur pas marrëveshjes për heqjen e vizave mes dy vendeve, e nënshkruar më 18 qershor 2024, ratifikuar më 5 shkurt 2025 dhe e hyrë në fuqi më 5 maj 2025.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv, theksoi se ky ka qenë një nga prioritetet e saj gjatë periudhës së shërbimit.

Ajo tha se marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit janë krijuar para katër vjetësh dhe se që atëherë janë bërë përpjekje të vazhdueshme për avancimin e këtyre lidhjeve, ku një ndër prioritetet ka qenë udhëtimi i lirë dhe mundësia për njerëzit dhe bizneset të kenë qasje më të lehtë në të dyja vendet.

 “Jam e lumtur që po e shënoj këtë moment, ditën e parë të liberalizimit të vizave mes Kosovës dhe Izraelit.”, tha ajo në një intervistë për RTK-në.

Për udhëtimin drejt Izraelit, qytetarët e Kosovës duhet të plotësojnë një aplikim të thjeshtë për ETA-IL, një proces elektronik që garanton miratimin paraprak për hyrje në vend.

Ziv gjithashtu shtoi se ky hap do të ndikojë pozitivisht në shkëmbimet afariste mes dy vendeve, duke theksuar se tani qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa pasur nevojë të shkojnë në Tiranë për të marrë vizën.

“Ka qenë e nevojshme të udhëtohej në Tiranë për të marrë vizën, ndërsa nga sot nuk ka më nevojë për këtë. Thjesht, secili mund të rezervojë fluturimin dhe të vijë në Izrael. Do të jemi shumë të kënaqur t’i mirëpresim të gjithë qytetarët e Kosovës që vijnë në Izrael për biznes apo për çfarëdo qëllimi tjetër. Mezi presim t’i kemi atje dhe të nxisim shkëmbimet mes dy vendeve. Edhe izraelitët do të vijnë të vizitojnë Kosovën”, shtoi ajo.

Related Articles