Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka – Nimani, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në ShBA. Caka atje është takuar dje me zv.ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz, me të cilin diskutuan rreth gjyqësisë kushtetuese në Kosovë.
Për këtë takim kanë njoftuar edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të Ambasadës në “Twitter”, thuhet se është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet vakante në të.
“Institucionet e pavarura të drejtësisë në Kosovë janë jetike për demokracinë e saj. Është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Për këtë takim detaje kanë dhënë edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Përmes një njoftimi për media nga kjo Gjykatë thuhet se kryetarja Caka e njoftuar Swartz me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese. Poashtu në njoftim thuhet se palët në vazhdim kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat më efektiv për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e konsolidimit të sundimit të së drejtës në çdo vend demokratik.
Gjatë qëndrimit në Uashington, kryetarja Caka – Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias./Gazeta Enigma/