Analisti serb i cili jeton në veri të Kosovës, Branisllav Kërstiq, duke folur hapur për kërcënimet dhe frikësimin e popullatës serbe në veri të cilët dëshirojnë ta pranojnë pavarësinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, thotë se shantazhimi dhe presioni ndaj tyre vjen drejtpërdrejt nga shërbimi sekret serb BIA dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai, gjatë një bashkëbisedimi me KP, ka pranuar prezencën dhe veprimtarinë e grupeve kriminale në atë pjesë, për të cilat tha se janë zhvilluar përmes Listës Serbe.
Kërstiq foli edhe për kadetët serbë të sapo rekrutuar në Policinë e Kosovës të cilët dhanë dorëheqje, duke thënë se ata ishin projekt i izoluar dhe jashtë kontrollit të kryetarit të Serbisë dhe Listës Serbe.
“Ata të cilët kanë dhënë dorëheqje kanë qenë në një projekt të izoluar dhe jashtë kontrollit nga Lista serbe dhe kabinetit të diktatorit në Beograd… Ata të cilët kanë aplikuar, pra kadetët të cilët e kanë braktisur Policinë e Kosovës, nuk janë në buxhetin e shtetit të Serbisë… Ne e dimë se kriminelët në veri u zhvilluan me Listën Serbe…
Shantazhimi (ndaj qytetarëve serbë në veri v.j.) vjen drejtpërdrejt nga BIA dhe kabineti i kryetarit të Serbisë. Që do të thotë se tani kemi një shantazhim dhe presion tjetër kundër atyre të cilët janë të gatshëm ta pranojnë pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe të cilët janë të gatshëm të aplikojnë për formimin e partive politike brenda shtetit të Kosovës. Ata janë tani target nga Lista Serbe edhe nga kryetari i Serbisë”, ka thënë Kërstiq.
Edhe drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se rreziku sa i përket kërcënimeve ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe grupet e sponsorizuara nga ky shtet.
Sipas tij, ky është një problem i cili duhet zgjidhur në rrafshin politik më shumë, sesa në rrafshin operacional në terren.
Ai, për shkak të zhvillimeve të fundit policore dhe politike, nuk ka dashur të përmend shifra të sakta të policëve të rinj serbë që kanë dhënë së fundi dorëheqje.
“Ne konsiderojmë se në veri të vendit ka grupe kriminale dhe ka njerëz të cilët merren me kriminalitet, me vepra penale të cilat janë të dënueshme sipas ligjit të Kosovës. Ne jemi duke u marrë me ta… Rreziku dhe kërcënimet që ju bëhen kolegëve tonë nuk vijnë nga veriu, por vijnë nga Serbia dhe grupet atje të cilat janë të sponsorizuara nga shteti. Janë institucionet shtetërore të cilat i bëjnë këto kërcënime…
Dhe kur kërcënimet vijnë nga shteti fqinj, Serbia, atëherë presioni është më i madh dhe me siguri se kjo mund të zgjidhet në aspektin politik më shumë sesa në atë operacional në terren… Ne në gjeneratën e fundit i kishim 46 serbë nga totali 74, bashkë me katër të tjerë ka qenë numri pesëdhjetë, por për arsye të ndryshme të punëve që janë duke u bërë në aspektin policor edhe politik, unë nuk jam duke diskutuar për numra sa kanë dhënë dorëheqje, kemi disa dorëheqje të kolegëve tonë”, sqaroi Elshani.
Ndërsa, Aleksandar Arsenijeviq, lider i Iniciativës qytetare ‘Mbijetesa serbe’ në veri të Mitrovicës, tha se kadetët e dorëhequr kanë përdorur përvojën e mëhershme të bashkëkombësve të tyre të cilët kanë dalë nga institucione të caktuara të Kosovës, për të marrë kompensim financiar nga Serbia.
Në këtë mënyrë, shtoi ai, këta kadetët policorë tashmë kanë kontrata me shtetin e Serbisë, përmes të cilave marrin paga nga Beogradi dhe nuk detyrohen të punojnë.
“Një pjesë e madhe e tyre vetë kanë hyrë në konkurse me dëshirën që nesër, sipas modelit dhe sikur edhe të tjerët kanë dalë nga institucionet e tilla, të marrin kompensim financiar nga Republika e Serbisë, përkatësisht kontratë, sipas së cilës nuk detyrohen të punojnë… Nëse ka pasur sulme dhe kërcënime, natyrisht që i gjykoj ato, mirëpo unë ia kam sqaruar drejtpërdrejtë edhe shefit të Eulex-it në Kosovë, se pikërisht po prezantohet një model i tillë, përkatësisht të merret një pagë tjetër që do të thotë kalim në një sistem tjetër”, theksoi Arsenijeviq.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për dorëheqjen e policëve të rinj serbë, duke dënuar ashpër kërcënimet ndaj këtyre pjesëtarëve të policisë, dhe duke kërkuar ndaljen e menjëhershme të tyre.
“Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve serbë të sapo rekrutuar në policinë e Kosovës, si dhe kërcënimet ndaj popullatës lokale, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e BE-së.
Ndryshe, që nga paslufta, në veri të vendit grupet kriminale janë zhvilluar në mënyrë të pakontrolluar, për shkak se me përfundimin e luftës, nuk morën fund edhe tensionet në atë pjesë. Sa herë që institucionet e Kosovës merrnin ndonjë vendim për shtrirjen e sovranitetit atje, shfaqeshin këto grupe të cilat financoheshin nga Beogradi zyrtar.
‘Cuvari Mosta’, ‘Civilna Zastita’, ‘Delije’, ‘Bradonje’ dhe të tjera, janë vetëm disa nga këto grupe ku janë përfshirë struktura të niveleve të larta të Serbisë, disa prej të cilëve janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Se këto grupe kriminale janë akoma prezentë dhe veriu i Kosovës mbetet burim i paqëndrueshmërisë, e dëshmuan edhe ngjarjet e majit të këtij viti, ku pikërisht këto grupe sulmuan policët, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, dhe situata sa nuk eskaloi në një konflikt të ri.
Ndërsa Qeveria e Kosovës ka shpallë dy prej këtyre grupeve, ‘Civilna Zastita’ dhe ‘Severna Brigada’ organizata terroriste.