Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, e ka konfirmuar se Jude Bellingham do të jetë i gatshëm të luaj nga minuta e parë në ndeshjen e së shtunës me Barcelonën, pasi ka mposhtur një goditje.
Reprezentuesi anglez shënoi golin vendimtar në fitoren 2-1 të së martës ndaj Bragës, por mori një goditje dhe u detyrua të largohej në momentin e fundit të lojës, duke shkaktuar shqetësime të dukshme për përfshirjen e tij kundër Barcelonës, shkruan lajmi.net.
Vetë Bellingham është përpjekur të lehtësojë frikën në ditët në vijim, por tani Ancelotti ka konfirmuar se mbështetësit nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar.
“Nesër ai do të luajë, sepse është mirë, i rikuperuar. Nuk duhet t’i shpjegoj atij se çfarë është një El Clasico, të gjithë e dinë atë. Është një lojë botërore”, zbuloi Ancelotti.
Madridi shkon në lojë një pikë përpara Barcelonës në krye të renditjes në La Liga, dhe ndërsa ndeshja e së shtunës do të ketë një ndikim të dukshëm në tabelë, Ancelotti hodhi poshtë sugjerimin se mund të përcaktojë garën për titull.
“Është një lojë e rëndësishme, e veçantë. Do të jetë El Clasico e parë e këtij sezoni, por do të ketë më shumë: Superkupa, ndeshja e kthimit, Kupa e Mbretit, Liga e Kampionëve…ka kaq shumë mundësi për të kryqëzuar sërish rrugët. Është shumë e rëndësishme, por sezoni është shumë i gjatë dhe të thuash që kjo përcakton titullin është shumë. Sezoni është shumë i gjatë, shumë i gjatë. Do të jetë një ligë shumë konkurruese: Barcelona, Atleti, Girona ka shumë skuadra që do të luftojnë deri në fund”, tha ai.
Loja do të luhet të shtunën me fillim nga ora 16:15.