Komentatori dhe gazetari, Andin Lokaj, ka qëndruar i palëkundur pas deklaratave të tij për Kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se deklarata e tij ka pasur një qëllim të qartë për unifikim dhe se çdo keqkuptim ka lindur nga mënyra se si është interpretuar mesazhi i tij.
Lokaj ka theksuar se fjalët e tij për Kryeministrin kanë qenë të shprehura me vetëdije të plotë dhe se nuk ka asnjë qëllim kundër Kurtit apo partive politike të tjera.
“Ka qenë me vetëdije të plotë. E thash dhe kam thënë edhe më herët, nuk kam kurrgjë kundër kryeministrit as kurrkujt. Kam shokë në të gjitha partitë politike. Mesazhi i gjithë kësaj, ka qenë unifikimi,” tha Lokaj.
Pavarësisht debatit të ngritur, ai ka shpjeguar se qëllimi i tij ka qenë një apel për bashkim në kohë të vështira, si pasojë e situatës globale që ka ndikuar edhe në vend.
“Është një situatë shumë e vështirë edhe në aspektin global, dhe neve si kurrë më parë na duhet unifikim. Me plot shpirtë e kam thënë. Njerëzit e kanë marrë ndryshe, i kuptoj të gjithë. Jetojmë në demokraci. Por e dua këtë vend, e dua të unifikuar,” përfundoi Lokaj.