Anel Rashkaj flet për “Enigmën”: Gjithmonë kam pasur dëshirë të jem pjesë e “dardanëve”

Anel Rashkaj flet për “Enigmën”: Gjithmonë kam pasur dëshirë të jem pjesë e “dardanëve”

Republika e Kosovës para dy ditësh ka festuar përvjetorin e 14-të nga shpallja e Pavarësisë.

Edhe futbolli kosovar u pavarësua, ku më saktësisht Federata e Futbollit e Kosovës së pari u pranua në UEFA me 3 maj të vitit 2016, kurse pas dhjetë ditësh FFK-ja u bë edhe pjesë e FIFA-s. Atë kohë President i FFK-së ishte i ndjeri, Fadil Vokrri.

Gazeta “Enigma” e ka intervistuar ish-kapitenin e Kombëtares së Kosovës, Anel Rashkajn.

Gjatë vitit që lamë pas, Anel Rashkaj u pensionua nga Kombëtarja e Kosovës, të cilës iu kishte bashkuar në kohë e kushte të vështira – qysh para anëtarësimit të vendit tonë në UEFA e FIFA.

Futbollisti nga Prizreni ka treguar se është ndier shumë mirë kur shteti ishte shpallur i pavarur.

“Shpallja e pavarësisë ka qenë historike, e kemi pritë ditën të jemi të pavarur dhe të mbrojmë ngjyrat e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare dhe jam ndjerë shumë mirë që më ka ardhur rasti të jem pjesë e këtij ekipit”, ka thënë Rashkaj.

Mesfushori me përvojë të madhe ka treguar arsyen kryesore se pse i ishte bashkuar “dardanëve” duke e lënë Suedinë.

“Arsyeja kryesore se pse i jam bashkuar Kosovës ka qenë sepse gjithmonë kam pasur dëshirë të jem pjesë e ‘dardanëve’ dhe kur me ka ardhur rasti nuk kam dyshuar aspak”, ka shtuar Rashkaj për “Enigmën”.

Edhe pse rruga ishte e vështirësuar për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian apo Kampionatin Botëror, futbollisti 32-vjecar thotë se ekipi gjithmonë shpreson që një ditë t’ia arrij qëllimin.

“Tashmë jemi në rrugën e duhur pas shumë vështirësive, jemi duke kërkuar më shumë dhe shpresojmë t’ia arrijmë qëllimin që të kualifikohemi në Kampionatin Evropian apo në atë Botëror”, vazhdoi Rashkaj.

Aneli gjithashtu ka treguar edhe një moment interesant sa ishte pjesë e Kombëtares.

“Moment interesant ka qenë njëherë kur kemi pasur stërvitje në stadiumin e KEK-ut në Obiliq dhe kur erdhëm aty, bari i stadiumit ishte shumë i gjatë, u deshtë ta anulojmë stërvitjen, kjo ka qenë në kohërat e vështira të ekipit tonë”, u shpreh Rashkaj.

Për fund mesfushori ka treguar se a do ta mbyllte karrierën në futbollin vendor.

“Nuk e di ende se do të shkojnë gjërat në futboll. Futbolli është shumë i paparashikueshëm, kështu që nuk e di ende se ku do ta përfundojnë karrierën”, përfundoi Anel Rashkaj.

Aneli iu kishte bashkuar Kosovës para anëtarësimit në UEFA e FIFA, ndërsa ishte kapiten i “Dardanëve” në ndeshjen e parë të zhvilluar me leje të FIFA-s në miqësoren kundër Haitit në vitin 2014.

Ai ishte bërë lider meritor i ekipit kosovar, të cilin me mund të madh dhe me shumë sakrifica po e ndërtonte në atë kohë ish selektori Albert Bunjaki, për të cilin Rashkaj ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles