Anel Rashkaj për ndeshjen historike, Kosova – Haiti: Kanë qenë momente të paharruara

Anel Rashkaj për ndeshjen historike, Kosova – Haiti: Kanë qenë momente të paharruara

Më 5 mars të vitit 2014, Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë kishte marrë pamjen e një stadiumi evropian pasi që ishte arena e përballjes së parë historike ndërkombëtare.

Miqësorja mes Kombëtares së Kosovës dhe Haitit ishte luajtur para tetë viteve, kjo ishte ndeshja e parë kontrolluese  e cila ishte nën monitorimin e FIFA-s, shkruan Gazeta Enigma.

Ky ballafaqim historik kishte përfunduar me rezultatin e barabartë, pa gola. “Dardanët” në këtë ndeshje historike ishin paraqitur më këtë njëmbëdhjetëshe: Samir Ujkani, Loret Sadiku, Avni Pepa, Fanol Perdedaj, Kristian Nushi, Shpëtim Hasani, Enis Alushi, Ardian Gashi, Anel Rashkaj, Ilir Azemi dhe Albert Bunjaku.

Redaksia e Gazetës Enigma e ka kontaktuar ish-kapitenin e përfaqësueses së Kosovës, Anel Rashkaj, i cili ishte pjesë e kësaj ndeshjeje historike.

Rashkaj ka treguar emocionet nga kjo ndeshje dhe atmosferën e cila kishte mbizotëruar para ndeshjes.

“Atmosfera ka qenë fantastike, t’i shohësh të gjithë të bashkuar lojtarë e tifozë e bënë këtë moment të paharruar”, ka thënë Rashkaj për Enigmën.

Mesfushori tregon se si para ndeshjes janë bashkuar të gjithë dhe i kane kujtuar ata që kanë sakrifikuar për Kosovën.

“Personalisht kjo ndeshje ka rëndësi të madh. Unë nuk e kam marrë vetëm si ndeshje futbolli, por si ndeshje kur jemi bashkuar kur e kemi nda gëzimin së bashku dhe të njëjtën kohë i kemi kujtuar ata që kanë sakrifikuar për shtetin e Kosovës”, tregon më tutje Rashkaj.

Futbollisti nga Prizreni për fund ka treguar se si ishin motivuar nga tifozët në atë ndeshje.

“Në ditën e ndeshjes një numër mjaftë i madh i tifozëve kishin ardhur tek hoteli jonë për të na motivuar, kjo ka qenë një befasi shume e këndshme dhe motivim shumë i madh për të gjithë lojtarët”, përfundoi Anel Rashkaj.

Aneli iu kishte bashkuar Kosovës para anëtarësimit në UEFA e FIFA, ndërsa ishte kapiten i “Dardanëve” në ndeshjen e parë të zhvilluar me leje të FIFA-s në miqësoren kundër Haitit në vitin 2014.

Ai ishte bërë lider meritor i ekipit kosovar, të cilin me mund të madh dhe me shumë sakrifica po e ndërtonte në atë kohë ish selektori Albert Bunjaki, për të cilin Rashkaj ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles