Nga 8 ekipet kombëtare që kanë depërtuar në çerekfinale të Euro2020, Anglia llogaritet favoritja më e madhe për të fituar kampionatin.
Kompania e specializuar e statistikave ‘Stats Perform’ i jep mundësi 46.9% Anglisë për të triumfuar.
‘Treluanët’ ballafaqohen me Ukrainën në çerekfinale dhe nëse arrijnë kualifikimin në gjysmëfinale, luajnë me fituesin e ndeshjes Republikë Çeke – Danimarkë.
Ndërsa në takimet tjera çerekfinale përballen Zvicër – Spanjë dhe Belgjikë – Italy. Fituesit e tyre luajnë mes vete, që në fund prodhojnë një finalist tjetër.
Padyshim se vëmendja e futbolldashësve shqiptarë është e koncentruar te kombëtarja Helvetike, e cila ka sfidë tepër të vështirë, por jo aq sa e kishte me Francën. Ajo ndeshet me Spanjën, e cila megjithatë ka namin dhe prestigjin me vete, dhe në rast fitore eventuale, Zvicra takohet me fituesin e ndeshjes Belgjikë – Itali në gjysmëfinale. Ndërsa, nëse arrin t’i kalojë këto dy pengesa, për Zviceranet do të ishte maja e suksesit, pasi gjasat e saj, shiquar nga prizmi tradicional, janë fare të vogla!