Qindra fluturime janë anuluar të hënën në të gjithë Gjermaninë.
Kjo pasi punonjësit e aeroportit kanë nisur një grevë mbarëkombëtare për shkak të pagave.
Greva e udhëhequr nga sindikata Verdi, ka nisur papritur të dielën në aeroportin e Hamburgut, përpara se të zgjerohej në një grevë mbarëkombëtare edhe në aeroportet e tjera, raporton BBC, transmeton Gazeta Enigma.
Pasagjerëve në Frankfurt, Munih, Dusseldorf, Berlin dhe qendra të tjera kryesore u është kërkuar të mos udhëtojnë për në aeroporte, për shkak të operacioneve të ndërprera.
Verdi, i cili përfaqëson punonjësit e sektorit publik dhe transportit, është në një mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi pagat dhe kushtet e punës.
Në anën tjetër, mediat gjermane kanë raportuar se mijëra fluturime mund të anulohen gjatë ditës, duke ndërprerë udhëtimin për më shumë se 500,000 pasagjerë.
Lufthansa, qendra kryesore e së cilës është në Frankfurt, ka konfirmuar “vonesa dhe anulime” në të gjitha linjat e saj ajrore, ndërsa Aeroporti i Munihut ka paralajmëruar për një “orar shumë të reduktuar të fluturimeve”.
Katja Bromm, zëdhënëse e aeroportit të Hamburgut, ku 143 nisjet e planifikuara për të hënën tashmë janë anuluar, ka kritikuar Verdin për thirrjen e një greve pa paralajmërim në fillim të sezonit të festave.
Mirëpo një zëdhënës i Verdit ka se kjo ishte e nevojshme për të nxjerrë një ofertë më të mirë nga punëdhënësit.
Shumë prej 1,770 fluturimeve të planifikuara të Aeroportit të Frankfurtit tashmë janë anuluar, ndërsa shumica e 820 fluturimeve të Munihut pritet të anulohen.
Qindra anulime të tjera priten në Shtutgart, Dusseldorf, Këln dhe Berlin.
Përtej aeroporteve, Verdi ka bërë thirrje gjithashtu për greva në grumbullimin e mbeturinave në disa qytete gjermane, duke përfshirë Berlinin, Essenin dhe Këlnin, ku kazanët kanë mbetur pa u zbrazur që nga java e kaluar.
Sindikata po kërkon një rritje të pagave me 8% për punonjësit e aeroportit, ose të paktën 350 euro më shumë në muaj, së bashku me bonuse më të larta dhe pushime shtesë. Punëdhënësit deri më tani i kanë hedhur poshtë këto kërkesa si të papërballueshme. /Gazeta Enigma