Bordi i AKP-së ka anuluar procesin e rekrutimit për drejtor menaxhues dhe ka vendosur për rishpalljen e konkursit të ri.
Në njoftimin e AKP-së, dhënë përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se qëllimi i anulimit të këtij konkursi është që konkursi i ri të sjellë një numër më të madh të kandidatëve.
“Bordi e morri këtë vendim që të rishpallë konkursin me qëllim që procesi i ardhshëm i konkursit të sjellë një numër më të madh të kandidatëve dhe të rrisë konkurrencën edhe jashtë shërbimit civil, që do të ndikonte në rritjen e besueshmërisë në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në komunikatë.
“Bordi i AKP-së anulon procesin e rekrutimit për drejtor menaxhues dhe vendos për rishpalljen e konkursit të ri. Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pas shqyrtimit të Raportit përfundimtar të komisionit të pranimit për procesin e rekrutimit për pozitën e drejtorit menaxhues të Agjencisë ku në rrethin e ngushtë ishin dy kandidatë, vendosi që të anuloj procedurën e rekrutimit dhe të rishpallë konkursin për drejtor menaxhues të AKP-së”.
Kujtojmë se sipas listës së publikuar nga AKP-ja më 1 prill, në garë për drejtor kanë qenë dy kandidatë, Arben Limani i vlerësuar me 79.74 pikë, dhe Bujar Sadiku me 76.3.
Konkursi për drejtor menaxhues në AKP ishte shpallur në dhjetor 2021./Gazeta Enigma/