Apeli lë në paraburgim Igor Popoviqin nën dyshimin se nxiti urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve

Apeli lë në paraburgim Igor Popoviqin nën dyshimin se nxiti urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Igor Popoviq, avokatit Millosh Deleviq, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Popoviqit i është caktuar 30 ditë paraburgim, për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit nën dyshimin se mbajti fjalim kundër UÇK-së.

Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimi të Apelit, shkalla e parë ka vepruar drejt kur ka caktuar paraburgimin, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se Popoviq ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Apeli në vendim thekson se nga videoja shihet dhe dëgjohet teksa Popoviq mban fjalim në rajonin e Rahovecit, përmes të cilit mjaftueshëm krijohet dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale.

Gjithnjë sipas vendimit, Popoviq ka shtesësi të Serbisë dhe nëse i njëjti mbrohet në liri, do të ishte i pakapshëm nga institucionet e Kosovës për faktin se Republika e Serbisë nuk bashkëpunon me Republikën e Kosovës.

Apeli i ka dhënë të drejtë shkallës së parë lidhur me vendimin për caktimin e paraburgimit, me arsyetimin se nuk mund të justifikohet asnjë masë më e butë sesa ajo e paraburgimit ndaj Popoviqit.

Popoviqit dyshohet se me fjalimet e tij kishte nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me dashje dhe dijeni, më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec, ju kishte drejtuar një mase të papërcaktaur të personave duke pasur në dijeni se fjalimi i tij përcillet nga mediat, me fjalimin e tij ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve me fjalët me përmbajtjen – mënyrën që mund të prishë rendin publik.

Related Articles