Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka apeluar institucionet që të reagojnë ndaj Gjykatës Speciale.
Këtë thirrje Musliu e ka bërë pas vendimit për pezullimin e vizitave dhe të gjitha komunikimeve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Musliu në fjalimin e saj në Kuvend, tha se vendimet e Specialet po shkelin të drejtat e njeriut.
Ajo ka theksuar se Kuvendi nga ku u votua kjo gjykatë, duhet të reagoj i pari kundër saj.
“Gjykata Speciale në mungesë të provave janë duke përdorur metodat e frikshme të shkeljes së të drejtave të njeriut. Po i shfrytëzoj këta minuta të apeloj të institucionet kompetente që të reagojmë të gjithë kundër këtyre vendimeve. Ky kuvend e ka votuar këtë gjykatë dhe do të duhej të ishte i pari që të reagojë kur shkelen të drejtat e njeriut. Tu themi stop padrejtësive në emër të shtetit. Nëse keni fakte vazhdoni nëse jo ndaluni. Këto zhvillime janë të papranueshme për mua si qytetare dhe deputete e këtij Kuvendi”.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç me ekipin e avokatëve.
Sipas ZPS-së, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.