Më 24 qershor të vitit 2020, Policia e Kosovës lansoi aplikacioni “Lajmëro Policinë”, aplikacion ky që u mundësonte qytetarëve të bëjnë raportime në mënyrën online, në kohë të shpejtë dhe të sigurt, shkruan Gazeta Enigma.
Aplikacioni fillimisht u lansua vetëm në sistemin operativ Android (celularë të mençur si Samsung, Xiaomi, Google Pixel), ndërkohë që atëherë u tha se së shpejti do të jetë i gatshëm edhe në sistemin operativ iOS (celularë të mençur si iPhone, iPad).
Megjithatë, kanë kaluar katër vite, dhe aplikacioni “Lajmëro Policinë” ende nuk është i disponueshëm për përdoruesit e sistemit operativ iOS.
Ndonëse nuk ka statistika, rreth gjysma e popullsisë në Kosovë mendohet se përdorin sistemin operativ iOS dhe kjo do të thotë se ata deri më tani nuk e kanë pasur të mundur të bëjnë raportime në mënyrë online.
Gazeta Enigma dërgoi pyetje drejt Policisë së Kosovës rreth kësaj çështje. Të njëjtit thanë se deri më tani ka qenë e pamundur lansimi i aplikacionit në iOS, pasi sipas tyre, kompania Apple “ka kushte te veçanta” dhe si pasojë e kësaj “për Shtetin e Kosovës ka qenë e pamundur publikimi dhe pagesa në këtë platformë”.
“Ka qenë problem publikimi i aplikacioneve Qeveritare në platformën iOS. Për të publikuar aplikacione të Qeverise (Publike), Platforma iOS ka kushte të veçanta dhe si pasojë e kësaj për Shtetin e Kosovës ka qenë e pamundur publikimi dhe pagesa në këtë platformë. Vetëm aplikacionet e kompanive private kanë qenë të mundura për publikim”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Enigma.
Megjithatë, nga organi kryesor i rendit thanë se rishtazi kanë bërë kërkesë për publikim të aplikacionit, “i cili është në ridezajnim”.
“Për disa javë besojmë që do të jetë i qasshëm edhe në këtë platformë si version i ri dhe me disa veçori të reja”, është thënë tutje në përgjigje.
Kur më 2020 u bë lansimi i këtij aplikacioni, Policia e Kosovës tha se ky projekt do të jetë “edhe një mundësi tjetër alternative për qytetarët për raportim sa më të shpejtë dhe efikas të rasteve të ndryshme dhe avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit dhe komunikimit me Policinë e Kosovës”.
Sa njerëz kanë shkarkuar aplikacionin dhe sa raportime janë bërë nga aty?
Gazeta Enigma pyeti edhe rreth numri të përdoruesve të këtij aplikacioni, me Policinë që thanë se mbi 15 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë shkarkuar këtë aplikacion.
Edhe numri i atyre që kanë raportuar raste është i lartë, me 16,788 raportime që nga lansimi.
Sa raportime janë bërë për çdo vit, që nga 2020?
2020 – 1,080 raportime
2021 – 5,161 raportime
2022 – 5,278 raportime
2023 – 5,269 raportime
2024 (25.07.2024) – 2,969 raportime
Si ta përdorni aplikacionin
Aplikacioni ofron transparencë dhe konfidencialitet, pasi që të gjitha raportimet kumtohen dhe denoncimi i qytetarëve mund të mbetet anonim, varësisht nga përzgjedhja e vetë qytetarit.
Aplikacioni ka shtatë kategori të lajmërimit: dhunë, vjedhje, komunikacion, armë, korrupsion, drogë dhe të tjera.
Udhëzimet se si ta përdorni këtë aplikacion mund ti gjeni KËTU.
/Gazeta Enigma/