Aplikimi i Kosovës në BE, Presidenca Çeke s’ka kohë për asnjë procedurë

Aplikimi i Kosovës në BE, Presidenca Çeke s’ka kohë për asnjë procedurë

Presidenca Çeke e Bashkimit Evropian do t’i informojë vendet anëtare dhe institucionet e BE-së për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bllok.

Kjo procedurë, e cila do të jetë edhe e fundit e Presidencës së Çekisë sa i përket këtij procesi që ka nisur më 14 dhjetor me nënshkrimin e këtij aplikimi nga krerët institucionalë, do të zhvillohet më 21 dhjetor në takimin e radhës të grupit Coreper.

Zëdhënësja e Presidencës Çeke të BE-së, Eva Hrncirova, i ka thënë KOHËS se nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për asnjë procedurë tjetër në ditët e fundit të udhëheqësisë.

“Sot Kosova i ka dorëzuar ministrit tonë Bek aplikacionin në BE. Ne synojmë të informojmë shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për aplikimin tuaj në takimin e ardhshëm të Coreper-it në Bruksel”, ka thënë Hrcnirova.

Kosova të enjten në Pragë ka dorëzuar aplikimin për statusin e shtetit kandidat në Bashkim Evropian. Aplikimi është nënshkruar një ditë më parë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Megjithatë, ka edhe shumë hapa që duhet bërë deri te arritja e anëtarësimit në BE.

Pasi një vend aplikon dhe plotëson kushtet për anëtarësim, ai duhet të zbatojë rregullat dhe rregulloret e BE-së në të gjitha fushat. Këto kushte njihen si “kriteret e Kopenhagës” dhe përfshijnë një demokraci të qëndrueshme dhe shtet të së drejtës, një ekonomi tregu funksionale dhe pranimin e të gjithë legjislacionit të BE-së, duke përfshirë edhe euron.

Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE, paraqet aplikimin për anëtarësim në Këshill, I cili I kërkon Komisionit të vlerësojë aftësinë e aplikuesit për të përmbushur kriteret e Kopenhagës.

Bazuar në opinionin e Komisionit, Këshilli më pas vendos për mandatin e negociatave. Negociatat hapen më pas zyrtarisht në bazë subjekt pas subjekti.

Hapi i parë që Kosova e ka bërë në rrugën evropiane ishte fillimi i negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në tetor të vitit 2013.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë më 27 tetor të vitit 2015, pas dy vjetëve negociata dhe kërkim të një zgjidhje ligjore për nënshkrim të marrëveshjes.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe duhet të implementohet plotësisht deri në prill të vitit 2026, pra një periudhë dhjetëvjeçare.

Related Articles