Federata e Futbollit e Kosovës ka vazhduar me ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”, shkruan Gazeta Enigma.
Ky çmim i ka takuar mesfushorit të SC Gjilanit, Arbnor Ramadanit për xhiron e 29-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Ramadani shkëlqeu në fitoren e SC Gjilanit ku bëri dy asistime në të dy golat e realizuar nga Bilalli dhe Zeka për rezultatin 0-2 ndaj Malishevës.
Arbnori u shpreh i lumtur që për herë të dytë u vlerësua me çmimin ‘Ylli i Javës’, derisa theksoi se fitorja në Malishevë ka bërë që skuadra e tij të jetë afër arritjes së objektivit për ta siguruar daljen në garat evropiane edhe në këtë edicion.
“Kjo është hera e dytë që shpallem më i miri i javës dhe është një kënaqësi e vërtetë, sidomos tash në fund të kampionatit, kur secila lojë luftohet shumë, secila pikë është e rëndësishme dhe secili lojtar jep më shumë se 100% nga vetja. Për këtë çmim meritë kanë edhe bashkëlojtarët, të cilët i falënderoj për punën dhe përkushtimin e madh në ndeshjen kundër Malishevës. Tani Gjilani është këndellur dhe jemi në rrugën e duhur për të siguruar daljen në garat evropiane. Na presin edhe 7 ndeshje të tjera shumë të rëndësishme, derisa shpresojmë të jemi edhe në finale të Kupës së Kosovës”, ka theksuar Arbnor Ramadani për faqen zyrtare të FFK-së.