“Armë, municion e uniforma”: Policia intensifikon aksionet në veri – Sinjal rreziku apo forcim i sigurisë?

“Armë, municion e uniforma”: Policia intensifikon aksionet në veri – Sinjal rreziku apo forcim i sigurisë?

Vetëm gjatë 35 ditëshit të parë të vitit 2026, Policia e Kosovës ka sekuestruar në 5 raste të ndryshme, armatim, municion dhe uniforma ushtarake të shoqëruara me flamurin e Serbisë në veriun e Mitrovicës, raporton Gazeta “Enigma”.

Në komunat e veriut të Mitrovicës, Policia ka arritur dhjetëra herë të konfiskoj armatim e municion gjatë vitit që e lëmë pas, teksa vetëm në janar dhe shkurt, Policia atje arriti 5 herë të kryej këtë lloj aksioni.

Pas Banjskës në vitin 2024 dhe një mori incidentesh nga veriu i Kosovës, sekuestrimi i armatimit në komunat veriore, të shoqëruara me uniforma ushtarake dhe flamuj serb, tregon se siguria rajonale vetëm po shkon duke u bërë më e brishtë.

Të njëjtën e ka deklaruar komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, duke theksuar se faktorë të shumtë vazhdojnë ta bëjnë të ndjeshme stabilitetin në vend.

Ulutashi ka përmendur disa nga arsyet pse situata në Kosovë ka potencial për shpërthim të tensioneve, ndër të tjera ai përmend retorikën herë pas here të papërgjegjshme dhe përdorimin e vazhdueshëm të dezinformimit.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por në të njëjtën kohë e brishtë, me potencial për shpërthime të tensioneve të reja. Arsyet për këtë janë të shumta, duke përfshirë çështjet e pazgjidhura, retorikën herë pas here të papërgjegjshme dhe përdorimin e vazhdueshëm të dezinformimit. Mbi të gjitha, ekzistojnë sfida që lidhen me përparimin e procesit të normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin NATO-ja e mbështet plotësisht. Ky është një kuadër në të cilin çështjet e hapura mund të zgjidhen dhe të gjenden zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, gjë që është thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, deklaroi Ulutashi.

Çfarë sinjale po jep Serbia përmes veriut?

Kapja e armatimit në veri duhet të lexohet si tregues i qartë i konsolidimit të sigurisë dhe jo si përkeqësim i saj, thotë eksperti i sigurisë rajonale, Drizan Shala.

“Seria e fundit e konfiskimeve të armatimit dhe municionit në veriun e Kosovës duhet të lexohet si një tregues i qartë i konsolidimit të sigurisë dhe jo si shenjë përkeqësimi të saj. Këto raste nuk janë incidente të rastësishme, por rezultat i një pune të qëndrueshme operative dhe informative të institucioneve të Kosovës, të cilat kanë arritur të depërtojnë në hapësira që për vite me radhë kanë qenë të vështira për t’u kontrolluar. Fakti që armatimi po zbulohet dhe po konfiskohet tregon se shteti sot ka më shumë informacion, prani më të madhe në terren dhe kapacitet më të mirë reagimi”, tha ai për Gazetën “Enigma”.

Ai tha se këto zhvillime lidhen indirekt me tensionet në rajon, duke theksuar se veriu gjithmonë është përdor si pikë strategjike për të destabilizuar vendin dhe rajonin.

“Në kontekst më të gjerë, këto zhvillime lidhen indirekt edhe me tensionet gjeopolitike në rajon. Veriu i Kosovës historikisht është përdorur si hapësirë për presion politik dhe veprime hibride nga Serbia dhe aktorë të tjerë destabilizues. Megjithatë, dallimi thelbësor sot është se këto instrumente po ekspozohen dhe neutralizohen në fazë shumë më të hershme, duke ua ulur ndjeshëm vlerën operative dhe strategjike”, theksoi ai.

Kjo siç thekson ai e bën situatën aktuale më të menaxhueshme sesa në vitet e kaluara, edhe pse sfidat mbeten reale. “Krahasuar me periudhat e mëparshme, situata e sigurisë në veri është objektivisht më pak e cenueshme. Në të kaluarën, armatimi ilegal ekzistonte, por shpesh nuk identifikohej dhe nuk konfiskohej, ndërsa rrjetet ilegale vepronin me liri më të madhe. Sot kemi një realitet tjetër, ku institucionet janë më të pranishme, reagimi është më i shpejtë dhe koordinimi ndërinstitucional është dukshëm më funksional”, shtoi ai.

Eksperti i sigurisë vlerëson se shteti duhet të jetë vigjilent rreth këtyre rasteve, por jo edhe i alarmuar, pasi konfiskimet e shpeshta po tregojnë se mekanizmat e sigurisë po funksionojnë.

“Sa i përket sasisë së armatimit të konfiskuar, shteti duhet të jetë vigjilent, por jo i alarmuar. Çdo armë jashtë kontrollit ligjor përbën rrezik potencial, por fakti që këto armë po zbulohen dhe po hiqen nga qarkullimi është tregues se mekanizmat e sigurisë po funksionojnë. Është e arsyeshme të supozohet se ende mund të ketë armatim të fshehur, por njëkohësisht është e qartë se hapësira për ta mbajtur atë po zvogëlohet ndjeshëm”, tha ai.

“Një element shumë pozitiv në këtë proces është përmirësimi i bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve nga komuniteti serb. Informacionet që po çojnë në konfiskime nuk burojnë vetëm nga kapacitetet teknike, por gjithnjë e më shumë nga bashkëpunimi qytetar, gjë që tregon rritje të besimit dhe integrim gradual në rendin ligjor dhe institucional të Kosovës. Kjo e bën të qartë se veriu po largohet nga logjika e zonës së paqëndrueshme dhe po hyn në një fazë të re, ku sundimi i ligjit dhe siguria po forcohen në mënyrë të qëndrueshme”, përfundoi ai.

Ndërkohë ndryshe vlerëson eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, i cili e vlerëson si të brishtë situatën e sigurisë në vend.

“Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës mund të konsiderohet e qetë, por e brishtë për faktin se kemi disa arsyje për ta konsideruar të tillë. E para është se Serbia nuk ka ndërprerë përpjekjet e saj për ta cenu sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës, dhe gjithashtu duke marrë parasysh faktin se shumë struktura ilegale serbe akoma janë prezent në Kosovë e posaçërisht në komunat me shumicë serbe, dhe janë duke aktivizuar aktivitete të ndryshme që biejnë ndesh me ligjin dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, duhet përmendur edhe faktin që ka shumë raste kur është gjetur sasi e madhe armatimi në zona të ndryshme. Kjo tregon qartë se edhe komuniteti serb është në kordinim dhe bashkëpunim me autoritetet e Serbisë, dhe janë në gjendje gatishmëria për ta destabilizuar situatën e sigurisë në atë pjesë”, tha ai.

Elezi thekson se edhe disa veprime të Prishtinës zyrtare kundrejt komuniteti serb, mund të përdoren si justifikime për të ndërmarrë aktivitete ilegale që cenojnë rendin dhe ligjin.

Si shembull për këtë ai ka përmendur rastin e fundit, ku KQZ-ja nuk certifikoi rezultatin zgjedhor për Listën serbe.

“Ju e patë sesi në zgjedhjet e fundit, Serbia e ka drejtpërdrejtë ndikimin në komunat me shumicë serbe, sepse subjekti politik i mbështetur nga Beogradi zyrtar fitoj shumicën e ulseve në Kuvend. Gjithashtu, edhe në të gjitha komunat ku udhëheqet nga kryetar serb.  Duhet të kemi parasysh faktin se ka disa veprime edhe nga ana e Prishtinës zyrtare të cilat mund të përdoren nga Beogradi zyrtar si justifikim për të organizuar aktivite të ndryshme, që bien ndesh me ligjin”, theksoi ai.

“KQZ së fundmi nuk e miratoi rezultatin për Listën Serbe, me çka edhe mund ta konsiderojmë edhe një arsyje që serbët të thirren në minimin e të drejtave të tyre. Këto veprime janë politike dhe ne e dimë që PZAP mund t’i certifikoj ata, por këto veprime të pakordinuara me faktorin ndërkombëtar, lënë të kuptojnë që me vetëdije apo pa, Qeveria kosovare nuk po punon për të mirën e përgjithshme, e që në fakt që është integrimi i komunitetit serb”, përfundoi ai.

Ndërkohë Gazeta Enigma ka drejtuar pyetje tek ndërmjetuesesit e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, Bashkimit Evropian lidhur ,e kapjen e vazhdueshme të armëve e municioneve në komunat veriore të Kosovës nga autoritetet kosovare, por të njëjtit ende unk kanë kthyer përgjigje. / Gazeta Enigma.

Related Articles