Skuadra e Gjilanit nesër ballafaqohet me Dukagjinin në kuadër të Superligës së Kosovës.
Gjilani dhe Dukagjini ballafaqohen nesër nga ora 15:00, me dy skuadrat që synojnë tre pikët në garën për kualifikimin në garat evropiane.
Skuadra e Zekrija Ramadanit nuk ka pësuar gol në tri ballafaqimet e fundit dhe reparti defansiv po funskionon mjaft mirë. Mbrojtësi i Gjilanit, Armend Halili thotë se kjo po vjen nga angazhimi i madh i të gjithë lojtarëve, pavarësisht se në cilin repart po luajnë.
“Jemi duke dhënë maksimumin, i gjithë ekipi. Reparti mbrojtjes po funksionon mjaft mirë dhe për të arritur një sukses të caktuar së pari duhet të përkujdeseni ta ruani portën. Kjo është meritë e gjithë bashkëlojtarëve të cilët po ndihmojnë, pavarësisht se nga cili repart vijnë”, tha fillimisht Halili për ‘GazetaBlic Sport.
Për takimin e nesërm, ai thotë se pret një duel të vështirë, por futen për të marrë tre pikë.
“Presim një ndeshje të vështirë, pasi që ballafaqohemi me një kundërshtar direkt në objektivin tonë. Megjithatë ne do futemi për të dhënë maksimumin tonë dhe për të marrë pikët e plota”, vazhdoi Halili.
Në fund, mbrojtësi Armend Halili beson se do ta mbyllin vitin me një trofe të fituar.
“Shpresojmë të mbyllim vitin me trofe dhe realizimin të objektivave. Tifozët, presidenti, stafi dhe të gjithë e meritojnë një trofe, i cili do të ishte qershia mbi tortë pas gjithë atyre sakrificave. Për ta arritur një gjë të tillë presim edhe mbështetjen e madhe të tifozëve tanë”, përfundoi ai.