Dy shtetas të Shqipërisë janë arrestuar në Prishtinë, pasi që dyshohen se kanë sjellë në Koosvë sasi të substancave të dyshuara narkotike me qëllim të shitblerjes së tyre.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se të dyshuarit kanë qenë në një veturë me targa të Shqipërisë, ku edhe janë ndaluar nga hetuesit policorë dhe gjatë kontrollit fizik tek personi i parë i dyshuar S. Ç. (1966), janë gjetur dhe janë sekuestruar dy pako të vogla me heroinë me peshë prej 21 gramëve dhe një pako me kokainë me peshë prej 36 gramëve, 100 euro, si dhe një telefon celular.
“Është identifikuar edhe banesa e të dyshuarit të dytë, S. U. (1969), shtetas i Shqipërisë, ku në konsultim me prokurorin e Shtetit është bastisur – kontrolluar banesa e tij, nën dyshimin e bazuar në lidhje me veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotrope’, vepër kjo e sanksionuar me nenin 267 të KPRK-së”.
“Gjatë bastisjes në banesën e tij, në cilësi të provës materiale, është gjetur dhe është sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë prej 61 gramëve si dhe një peshore digjitale. Po ashtu tek i dyshuari i dytë janë gjetur dhe janë sekuestruar edhe 3 telefona celularë si dhe 150 euro, si dhe është sekuestruar vetura me targa të Shqipërisë“, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, sasia e përgjithshme e sekuestruar e narkotikëve është 82 gramë heroinë në vlerë të tregut prej 1640 euro si dhe 36 gramë kokainë në vlerë të tregut prej 3600 euro.
“Po ashtu bashkë me të dyshuarit ishte edhe një person tjetër V. P. (1987), i cili ka rezultuar që ka urdhërarrestit aktiv për vuajtje të dënimit prej 1 viti e 8 muaj, i cili është dorëzuar stacionit policor Jugu në Prishtinë për procedurë të mëtejme”.
“Në vend të ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit nga Drejtoria e Forenzikës, të cilët kanë bërë evidentimin, paketimin e dëshmive në vend të ngjarjes, e po ashtu është bërë kontroll edhe nga Njësia K9“, thuhet tutje në komunikatë.
Të dy të dyshuarit janë shoqëruar dhe janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.