Arrestohen dy vetë për një rast vjedhjeje me vlerë 100 mijë euro në Gjakovë

Arrestohen dy vetë për një rast vjedhjeje me vlerë 100 mijë euro në Gjakovë

Sot janë arrestuar dy persona në Gjakovë, pasi që për të njëjtit dyshohet se kanë kryer një vjedhje të rëndë me vlerë rreth 100 mijë euro.

Sipas komunikatës së Policisë, të njëjtit kanë depërtuar brenda objektit të biznesit në rrugën “Gaspër Karaqi” në Gjakovë, dhe nga depoja e këtij biznesi kishin vjedhur mallra të ndryshme (veshmbathje, bizhuteri, gjësende të ndryshme shtëpiakë etj).

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht hetuesitë policorë në kuadër të Sektori Rajonal të Hetimeve, menjëherë ju kanë përgjigjur rastit dhe është filluar me hetime intensive për gjetjen dhe identifikimin e të dyshuarve. Pas një hetimi të gjerë është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar: D. T., i lindur në vitin 2000, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Q. L.,  i lindur në vitin 1990, shtetas i Republikës së Kosovës mbi dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje janë të përfshirë në rastin e vjedhjes”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Lidhur me rastin, në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, është kryer kontroll në një objekt biznesi po ashtu në rrugën “Gaspër Karaqi”, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa pako me mallra të ndryshëm të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme me rastin e kryerjes se veprës penale të raportuar.

Të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit të dyshuarit, pasi që janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës, me aktvendim, janë dërguar në mbajtje, ndërsa mallrat e sekuestruar u janë kthyer pronarit.

Related Articles