Policia në Gjilan ka njoftuar se para 10 ditësh kishte pranuar një informatë për një rast të dhunës në familje në një fshat të Gjilanit.
Sipas njoftimit, në atë rast i dyshuari V.B., 53-vjeç dyshohet se me qëllim frikësimi ndaj viktimës, mikut të tij kishte shtënë në ajër me armë zjarri.
Ndërkohë sot, Policia tha se ia ka konfiskuar një pushkë gjuetie të dyshuarit, i cili është arrestuar.
“Patrulla Policore kishte dalë në vendin e ngjarjes por nuk kishte arritur që të takonte të dyshuarin me ç’ rast e kishte vënë në kërkim policor. Sot me datën 16.01.2023 falë një pune mirë të organizuar operative nga ana e Hetuesve Policor është arritur që të takohet i dyshuari i lartcekur nga i cili edhe është konfiskuar një (1) pushkë gjuetie si dëshmi për Gjykatën”, thotë Policia.
“I dyshuar pas arrestimit është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të ngritët kallëzim penal për veprat penale ,,Përdorim i armës’’, ,,Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe ,,Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore”, vijon kumtesa e PK-së.