Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Gjilan, ka ndaluar sot një person që dyshohet për ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.
I dyshuari me inicialet E.F. është arrestuar sot nga Policia pas dyshimit të bazuar se i njëjti është marrë me shitje të paautorizuar të narkotikëve.
“Në koordinim me organet e drejtësisë është bërë kontrolli i banesës së të dyshuarit ku janë konfiskuar: 6.4 gramë substancë, që dyshohet të jetë kokainë, 1.5 gramë, dyshohet të jetë marihuanë, para të gatshme, një veturë dhe pesë telefona celularë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari gjatë veprimtarisë së shpërndarjes së lëndëve narkotike (kokainës), me qëllim që të mos bije në sy të Policisë, ka përdorur një shtëpi me qira dhe njëkohësisht ka shfrytëzuar vetura nga ‘rent a car’.
Policia njofton se në konsultim me prokurorin kompetent, i njëjti ka urdhëruar që pas intervistimit i dyshuari të ndalohet për 48 orë.