Arrestohet i shumëkërkuari në Gjilan, kapet në parkingun e një hoteli

Arrestohet i shumëkërkuari në Gjilan, kapet në parkingun e një hoteli

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka bërë me dije se ka arrestuar tre persona në Gjilan, ku njëri nga ta ishte në kërkim policor.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për të shumëkërkuarin Burim Agaj, i njohur si ‘Gishti’, i cili ditë më parë dyshohet se ka tentuar t’i godas me veturë zyrtarët policorë dhe më pas i njëjti është arratisur. Po ashtu bashkë me të ishin edhe Altin Fetahu 21-vjeçar dhe Verona Uka 19-vjeçare.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se sërish ka pasur rezistencë nga Agaj që të mos arrestohet dhe i njëjti përmes veprimeve të rrezikshme ka tentuar që t’ia mbath prapë dhe t’u shpëtojë prangave.

Në momentin e kapjes, Fetahu që po drejtonte veturën ka tentuar t’i kyç dyert dhe të largohet me vrull dhe si rrjedhojë zyrtarët policorë që po merrnin pjesë në intervenim janë detyruar që të thyejnë xhamat.

E substancën e dyshuar narkotike të llojit kokainë të cilën e kishte me vete, Agaj dyshohet se në prezencë të Policisë e shpërndau gjithandej në mënyrë që t’i zhdukte provat.

Gjatë kontrollit në automjet janë sekuestruar edhe provat materiale: Një peshore elektronike; Para të gatshme (70) euro; Substancë narkotike e dyshuar si kokainë (5 gr.); Substancë narkotike e dyshuar si marihuanë (1.5 gr.); Telefon mobil – IPHONE; Telefon mobil- IPHONE X; Vetura Golf V me targa vendore”, njoftoi Policia dje.

Tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë për veprat për të cilat dyshohen.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike’ dhe të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndryshe, Agaj dyshohet se ka kryer edhe veprën penale ‘Tentim Vrasje’ dhe i njëjti është person i njohur për Policinë, pasi tash e një kohë është në kërkim policor për shkak të kryerjes së veprave të ndryshme penale.

Kujtojmë që disa ditë më parë u arrestua edhe djali i tij, i cili dyshohet se ka ndihmuar babanë e tij të arratiset në drejtim të Ferizajt dhe këtë e kishte pranuar gjatë intervistimit para hetuesve policorë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles