Ish agjenti i FBI-së, i cili drejtoi hetimin Trump-Rusi, u arrestua dhe u akuzua për lidhjet e tij të dyshuara me një oligark rus të sanksionuar në mes të luftës në Ukrainë.
Charles McGonigal, ish-agjenti special i ngarkuar me Divizionin e Kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, i cili doli në pension në vitin 2018, akuzohet për shkelje të sanksioneve të SHBA-së duke rënë dakord t’i ofrojë shërbime Oleg Deripaska, një oligark rus i sanksionuar.
Ai akuzohet së bashku me Sergey Shestakov, një ish-diplomat sovjetik dhe rus, i cili më vonë u bë shtetas i SHBA-së dhe një përkthyes rus për gjykatat dhe zyrat qeveritare, përmes një aktakuze me pesë pika të zbuluara në gjykatën federale të Manhatanit të hënën.
McGonigal dhe Shestakov të dy u arrestuan të shtunën. Aktakuza është një lëvizje e rrallë nga prokurorët federalë për të ngritur akuza kundër një ish-zyrtari të lartë të FBI-së përpara një jurie të madhe federale.
Prokurorët në Gjykatën federale në Uashington kanë dalë në përfundimin se McGonigal ka pranuar dhe ka marrë 225 mijë dollarë cash gjatë kohës që punonte në FBI nga një person që kishte interesa biznesi në Evropë, raporton abcnews.
Shestakov është një ish-diplomat sovjetik dhe rus, i cili së fundmi ka punuar si përkthyes për gjykatën federale të Bruklinit dhe prokurorët atje. Ai ka nënshtetësi amerikane. Ai akuzohet gjithashtu se ka gënjyer FBI-në gjatë marrjes në pyetje, duke fshehur natyrën e marrëdhënies së tij dhe McGonigal. ‘Shërbimet’ e McGonigal ndaj rusit filluan një vit pasi ish-agjenti, i cili jeton në Nju York u tërhoq nga FBI në 2018, pas 22 vitesh shërbim.
McGonigal dhe Shestakov do të dalin para gjykatës në Manhatan. Akuzat ndaj tyre parashikojnë një dënim maksimal prej 20 vitesh burg nëse shpallen fajtorë.