Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë një person në Gjakovë, i cili dyshohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, në lokalin e tij, në rrugën “Dëshmorët e Morinës”, raporton Gazeta Enigma.
Policia ka gjetur në lokalin e të dyshuarit karta bixhozi, shënime për parashikimet e lojërave futbollistike, dy telefona, 4078 euro, si dhe 100 franga zvicerane.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Rr. Dëshmorët e Morinës , Gjakovë 17.08.2021-17:25. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që në lokalin e tij dyshohet se zhvillohen lojëra të fatit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar prova të mjaftueshme si karta bixhozi, shënime për parashikimet e lojërave futbollistike, dy telefona mobil, portofoli me 4078 euro (katër mijë e shtatëdhjetë e tetë euro) si dhe 100 franga zvicerane. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.