Një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës, sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës – konkretisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës – kanë arrestuar personin me inicialet S.S. në pikën kufitare në Merdare.
Në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, autoritetet janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
“Ai dyshohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’ në Komunën e Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.
Brenda afatit të përcaktuar me ligj, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj S.S. në Gjykatën Themelore në Prishtinë.