Policia e Kosovës, ka njoftuar se një person është arrestuar pasi që dyshohet se e ka mashtruar njërën nga bankat komerciale.
Sh.Sh ka aplikuar për një kredi (Leasing) në vlerë 71 mijë e 250 euro.
“Gjatë procedurave të kredimarrjes, ka paraqitur dokumente si: letërnjoftimin, patentë-shoferi, gjendjen e llogarisë bankare, kontratën e punës dhe kontratën e qirasë, të cilat dokumente është vërtetuar se janë të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari ka arritur të marrë aprovimin për kredi të shumës së lartëcekur.
“I dyshuari pasi që i është aprovuar lizingu nga institucioni bankar, i njëjti e kishte në posedim veturën BMW X7 të cilën e kishte pranuar me lizing për shumën e lartcekur. Pasi është bërë identifikimi i të dyshuarit, nga zyrtarët e institucionit bankar, vetura i është marrë personit të dyshuar”, theksohet në njoftim.
Hetuesit e krimeve ekonomik sot e kanë intervistuar atë në prezencën e avokatit mbrojtës.
“Ndaj tij është iniciuar rasti karshi veprave penale: ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘mashtrim’. I dyshuari me aktvendim të prokurorit kujdestar dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”.
36-vjeçari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.