Arrestohet Shpresa Osmanollaj, zyrtarja e Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren

Arrestohet Shpresa Osmanollaj, zyrtarja e Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren

Është arrestuar Shpresa Osmanollaj, zyrtarja e Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren.

Ajo dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit.

“E njëjta është arrestuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike”, tha Bytyqi.

Osmanollaj pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Ndaj të njëjtës, më 1 maj të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura në cilësinë e Zyrtares së Lartë për Planifikim në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e saj zyrtare për të përfituar dobi për vete ose për persona të tjerë.

Hetimet kanë zbuluar se ajo i kishte mundësuar kompanisë investuese “M.B-B. SH.P.K”, me pronar M.R., të ndryshojë projektin ndërtimor “Banim Kolektiv, Afarizëm dhe Administratë me Etazhitet 2B+P+5+PH” në Prizren, në kundërshtim me lejen ndërtimore dhe normat ligjore në fuqi.

Një super-ekspertizë e kryer nga Fakulteti i Arkitekturës në U.P. “Hasan Prishtina” ka konstatuar se projekti është zgjeruar jashtë lejes për ndërtim në një sipërfaqe prej 15.96%, duke i sjellë investitorit përfitime të vlerësuara rreth 154 mijë e 220 euro.

Për këtë veprim, e pandehura akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që e akuzuara të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit. Po ashtu, është kërkuar edhe shqiptimi i dënimit plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.

Related Articles