Është finalizuar marrëveshja për njohjen reciproke të patent shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Marrëveshja është zyrtarizuar në Gjermani nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe sekretari Shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, Oliver Luksic.
“Sot kam nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen për njohjen reciproke të patent shoferëve me Republikën Federale të Gjermanisë. Me kënaqësi e kam pranuar ftesën nga Z. Oliver Luksic, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, duke pasur parasysh që ky është një nga proceset më të rëndësishme por edhe lehtësuese për mërgatën tonë”, ka njoftuar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka thënë se është obligim i shtetit që të lehtësohet jeta e mërgimtarëve në vendet ku veprojnë.
“Mërgata jonë ka dhënë shumë për vendin tonë por edhe në shtetet ku ata jetojnë. Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë së mërgatës sonë është para se gjithash obligim i yni, i cili duhet arritur bashkë me aleatët tanë, në të gjitha vendet ku ata veprojnë”.
Ministri i Brendshëm megjithatë ka shprehur dyshime se mund të dalin sfida gjatë zbatimit të kësaj marrëveshje.
“E falënderova z. Luksic për gatishmërinë për të arritur këtë marrëveshje, por edhe për vullnetin për të eliminuar sfidat eventuale që mund të dalin gjatë zbatimit të saj”.
Sveçla ka thënë se ambasada e Kosovës në Berlin dhe misionet konsullore do të ndihmojnë qytetarët për procedurat e konvertimit të patën shoferëve.
“Ambasada jonë në Berlin dhe gjashtë misionet tona konsullore në Gjermani, janë të angazhuara maksimalisht në asistimin e qytetarëve për procedurat që duhet të ndiqen për të konvertuar patent shoferët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje Sveçla.