Kosova ka pranuar sot autoblindat e blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ceremonia e pranim-dorëzimit u zhvillua në prani të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe atasheut ushtarak në ambasadën amerikane në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti nëpërmjet një postimi në Facbook.
“Sot isha i nderuar që së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe atasheun e Ushtrisë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw, morëm pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të autoblindave të prokuruara në ShBA për FSK-në”, tha Kurti.
Ai e cilësoi këtë furnizim si një dëshmi të partneritetit të palëkundur me SHBA-të dhe një hap të rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me ShBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”, u shpreh ai.
Kryeministri në detyrë shtoi se FSK-ja do të vazhdojë të zhvillohet krah për krah me partnerin strategjik amerikan. “Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së ShBA-ve”, përfundoi Kurti.