Emisari britanik për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka thënë se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë kërkon guxim dhe kompromis, përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.
Për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Peach tha se është një element i rëndësishëm, por që s’duhet të pengojë arritjen e marrëveshjeve tjera.
“Arritja e një marrëveshjeje të përhershme që përmirëson jetën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë guxim dhe kompromis të liderëve politikë nga të dyja palët. Edhe Kosova edhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e marra në dialog. Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një nga elementët thelbësorë që duhet të adresohet, por kjo nuk duhet të pengojë zbatimin e marrëveshjeve të tjera në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja apo përparimin drejt normalizimit përfundimtar”, ka thënë Peach në një intervistë për mediumin kroat “Vecerni list”, transmeton Express.
Ai ka shtuar se i takon Kosovës dhe Serbisë të përcaktojnë se si do të duket Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Si Serbia ashtu edhe Kosova kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre që të vazhdojnë të bisedojnë dhe të punojnë në hapa praktikë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij janë aktivisht të angazhuar në dialog dhe jam i sigurt se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”.
Peach në këtë intervistë ka thënë se janë në dijeni për qëllimet e Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se këtë do ta kundërshtojnë.