Artan Krasniqi, kardiologu nga Vushtrria ka njoftuar se nuk do të jetë kandidatë i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, raporton Gazeta “Enigma”.
Krasniqi thotë se përkundër përkrahjes së madhe për kandidimin e tij, pati edhe reagime brenda Vetëvendosjes në Vushtrri, pasi sipas tij, ata nuk donin kandidimin e tij.
Ai shtoi se ishte i gatshëm që ta ndërprej angashimin e tij profesional që investoi mbi dy dekada shkollim për kandidim, e për këtë thotë se do të duhej të shihej si sakrificë.
“Kam investuar mbi dy dekada shkollim deri në profesionin tim, me tepër mund, dhe gatishmëria ime për ta ndërprerë angazhimin profesional qoftë edhe përkohësisht për shkak të kontributit për Lëvizjen mendoj se do duhej të shihej si sakrificë.
Në këto rrethana, duke i falënderuar nga zemra të gjithe aktivistët, shokët e qytetarët që kanë mirëpritur e inkurajuar kandidimin tim potencial, njoftoj se unë nuk do të jem kandidat. Sidoqoftë shpresoj që kandidati i levizjes kushdo qoftë të krijojë frymë bashkimi, bashkëpunimi e harmonie, e jo të kundërtën, dhe kështu gara në Vushtrri do të fitohet pa balotazh. Suksese!”, shtoi Krasniqi.
Kujtojmë se Krasniqi ishte i përfolur kohëve të fundit si kandidat i mundshëm i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Vushtrrisë. Ai madje përmes një statusi kishte shprehur gatishmërinë që t’i hyjë garës për ta udhëhequr këtë komunë.