Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë se e ardhmja e Pierre-Emerick Aubameyang është duke u vendosur ndeshje pas ndeshjes, pasi sulmuesi 32-vjeçar nuk u ftua as për takimin e së dielës kundër Norwich City në udhëtim.
Aubameyangut iu mor shiriti i kapitenit në fillim të këtij muaji për mungesë disipline dhe ai nuk ka luajtur për Arsenalin që prej disfatës 2:1 kundër Evertonit më 6 dhjetor.
Në mungesë të Aubameyangut, Arsenali i ka fituar të gjitha pesë ndeshjet e fundit dhe fitorja 5:0 ndaj Norwichit sot pasdite ishte mbresëlënëse. Aubameyang do të largohet nga ekipi i Arsenalit në fillim të janarit për t’iu bashkuar Gabonit në Kupën e Kombeve të Afrikës, e cila nis më 10 janar.
Por Arteta nuk ka dashur të tregojë nëse Aubameyang do të luajë për Arsenalit përsëri para se t’i bashkohet ekipit të vet kombëtar.
“Ai nuk u përzgjodh për ndeshjen e sotme”, tha Arteta i pyetur për gjendjen e Aubameyangut në Arsenal pas ndeshjes me Norwichin.
“Do të vendosim ndeshje pas ndeshjes. Ky ishte vendimi”, shtoi ai.
Për triumfin e Arsenalit ndaj Norwich City në Carrow Road shënuan Bukayo Saka dy herë, ndërsa Kieran Tierney, Alexandre Lacazette dhe Smith Rowe nga një herë.
Arsenali renditet i katërti në tabelë me 35 pikë nga 19 ndeshje, i ndjekur nga Tottenhami me 29 pikë por tri ndeshje më pak të zhvilluara.