As dënimi me ekzekutim i Naser Pajazitajt, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen kushërirës Donjeta Pajazitaj, nuk do t’ia shuan mallin për motrën Shkëlqimit, shkruan Gazeta Enigma.
“Edhe sikur të dënohej me ekzekutim, ne nuk do te ishim mjaftueshëm të kënaqur, dhimbja për motrën nuk shuhet”, thotë Shkëlqimi për Enigmën.
Të enjten e 23 qershorit, Naser Pajazitaj është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Ferizajt.
Ai akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajt në nëntor të 2015-ës.
Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Por, Pajazitaj, shprehet i kënaqur me vendimin e Gjykatës, megjithatë shpreson që njëjtë të vendosin edhe Gjykata e Apelit dhe Supremja.
“Vendim i drejtë, jena të kënaqur dhe shpresojmë ta kenë të mjetën bindje edhe Apeli e Supremja”, shtoi ai.
Vrasja sipas Pajazitajt, nuk është kryer vetëm nga Naseri, ai madje ka pritur që Prokuroria ta zbulojë edhe personin e dytë.
“Kemi pritur të zbulohet edhe një bashkëpunëtor i tij. Duke marrë parasysh gjendjen e tij shëndetësore, nuk ka mundur të jetë vetëm, duke u bazuar në disa fakte, shembull prej shtëpisë sonë deri tek autobusi janë dy ose tri kilometra
Beteja e familjes Pajazitaj për drejtësinë
Donjeta Pajazitaj u gjet e vdekur më 27 dhjetor të vitit 2015, shtatë javë pasi ishte shpallur e zhdukur dhe po kërkohej nga organet e rendit.
Në mars të vitit 2018 Naser Pajazitaj ishte shpallur i pa fajshëm nga Gjykata Themelore në Pejë, në akuzën për vrasjen e Donjetës, ndërsa ishte dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër “armëmbajtje pa leje”.
Pas ankesave rasti kaloi në gjykim në shkallën e dytë.
Gjykata e Apelit e riktheu rastin në rigjykim.
Pas shqyrtimit të provave të reja, Gjykata Themelore në Pejë e dënon Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm më 25 marsit të vitit 2019.
Edhe këtu pati ankesa, dhe rasti kaloi në Gjykatën e shkallës së dytë e cila e konfirmoi vendimin e shkallës së parë, duke e lënë të plotfuqishëm dënimin me burgim të përjetshëm për Naser Pajazitajn.
Pas ankesave të palës mbrojtëse, rasti ka shkuar në shkallën e tretë, në Gjykatën Supreme.
Më 2 dhjetor të vitit 2019, kjo gjykatë e hedh poshtë të gjithë procesin gjyqësore, duke kërkuar që rasti të rikthehet në rigjykim, me arsyetimin se gjykatat e mëparshme kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Pas këtij vendimi Gjykata Themelore në Pejë është përjashtuar nga gjykimi i këtij rasti.
Lumturie Muhaxheri, njëra nga gjyqtaret e trupit gjykues, kishte bërë kërkesë për heqje të kësaj lënde nga gjykata e Pejës, me arsyetimin se në këtë rast janë përfshirë të gjithë gjyqtarët nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe kanë kërkuar që ky rast të trajtohet në një gjykatë tjetër.
Me vendim të Gjykatës së Apelit, rasti është dërguar në gjykatën Themelore në Ferizaj.
Për herë të tretë, rasti i Donjeta Pajazitajt gjykohet nga një gjykatë e shkallës së parë. /Gazeta Enigma/