Në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po zhvillohen në Madrid të Spanjës, Asambleja miratoi Raportin për Ballkanin Perëndimor.
Raportin për Ballkanin Perëndimor e ka kundërshtuar udhëheqësi i delegacionit serb, që vjen nga partia e presidentit serb Vuçiq, duke pretenduar se raporti përmban të pavërteta për Kosovën, ngase sipas tij, Kosova s’është shtet teksa ka shtuar se janë duke biseduar për çështjen e statusit të Kosovës.
“Gjithashtu duke pretenduar që bazat ushtarake ruse në Serbi, janë për qëllime humanitare, se nuk ka tension të nxitur nga Serbia, etj. Pas kërkesës së tij, Asambleja ia kaloj fjalën Kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Driton Hyseni, i cili, argumentoi se pretendimet e delegacionit serb, respektivisht kryetarit të këtij delegacioni, janë tërësisht të pavërteta. Kosova është shtet Sovran, i shpallur në vitin 2008, e i njohur nga 117 shtete të botës. Për më tepër, ai theksoi se pavarësia e saj është vërtetuar edhe nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Tutje, kryetari i delegacionit të kuvendit të Kosovës, Hyseni, tha se bazat ruse në Serbi nuk janë për qëllime humanitare, por që sipas tij, ajo janë baza ushtarake dhe se pjesa më e madhe e tyre janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën.
“Gjithashtu, ai shtoj se i gjithë tensioni në veri të Kosovës është produkt i influencës dhe ndikimit që Beogradi ka tek minoriteti serb, që jeton në veri të Kosovës. Pas fjalës së kryetarit të delegacionit nga Kosova, raporti u hodh në votim, dhe përpos dy abstenimeve, të gjitha votat tjera ishin PRO, që do të thotë se asnjë nga deklarimet e kryesuesit të delegacionit serb nuk u morën parasysh”.
“Mbështetje të madhe në këto diskutime Kosovës i ka dhënë anëtarja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, znj. Harriett Baldëin, duke bërë thirrje për njohje të realitetit në Kosovë dhe duke ftuar shtetet anëtare të NATO-s për njohje të shtetësisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej, bëhet e ditur se sonte delegacionet do të takojnë Mbretin e Spanjës ku do të organizohet pritje solemne në Pallatin Mbretëror.