Asamblistët e LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bojkotojnë seancën e së hënës

Asamblistët e LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bojkotojnë seancën e së hënës

Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën e radhës të Kuvendit Komunal, të ftuar për të hënën.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se është e kontestueshme zgjedhja e kryesuesit të ri dhe rrjedhimisht e kontestojnë edhe ftesën për këtë seancë.

“Duke ditur faktin se tashmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë është iniciuar një konflikt administrativ në mes të MAPL-së dhe Komunës së Prishtinës, ndër të tjera edhe për çështjen e Kryesuesit, vlerësojmë se thirrja dhe organizimi i kësaj mbledhje në këtë kohë është i panevojshëm dhe tendencioz”.

“Në një situatë të tillë, me paqartësi juridike, të gjitha vendimet eventuale që merren në këto seanca të parregullta do të jenë objekt i trajtimit të sërishëm nga Kuvendi Komunal. Ndërkohë, të gjitha pasojat juridike që prodhojnë vendimet e tilla do të jenë bazë e mjaftueshme për ndjekje e kallëzime penale”.

“Kërkojmë nga partitë në pushtet në Komunën e Prishtinës, koalicioni LDK-PDK-NISMA-LB, të përmbahen nga çfarëdo vendimi e veprimi në këtë fazë dhe gjithashtu kërkojmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që sa më parë, me prioritet, ta trajtoj çështjen në fjalë. Kthimi i ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës është emergjencë dhe domosdoshmëri”, thuhet në njoftim.

Related Articles