Shefi i qeverisë, Albin Kurti, po thotë se njësitë speciale policore, janë në Jarinjë e Bërnjak me qëllim që të parandalohet skenari i vitit 2011, kur të dyja pikat kufitare ishin bërë shkrumb e hi.
Por, ani se merren si shembull që duhet shmangur me çdo kusht, as 10 vjet pas zjarreve në kufi, nuk është se u dënua dikush nga piromanët.
Për më tepër, drejtësia nuk u vu në vend as për vrasjen e pjesëtari i njësitit të atëhershëm ROSU, Enver Zymberi, i cili u qëllua me snajper në kokë, deri sa po shkonin drejt pikës kufitare 31-Bërnjak, për ta marrë në kontroll.
Megjithëse hetime, aktakuza e procese gjyqësore zgjatën me vite, vrasësi nuk u gjend asnjëherë!
Për t’i rënë në cak këtij rasti, që në gusht 2011, 1 muaj pas ekzekutimit, nisën ndjekjet penale.
Radovan Radiq e Milovan Vlashkoviq ishin të dyshuarit për të cilët disa herë radhazi, policë, gjyqtarë e prokurorë, u detyruan të dalin në mes Varagës e Zupçit për ta rikontruuar vrasjen.
Pas apelit të vendimit, në shtator 2016 nisi rigjykimi i cili në nëntor të të njëjtit vit serbëve iu dhanë dënime me kusht, asnjërit për veprën penale vrasje, por pengim i personit zyrtar në bashkëkryerje të detyrës zyrtare, raporton Klan Kosova.
Të dyshuar tjerë në këtë rast ishin edhe Radomir Kasaloviq e Sllobodan Sovrliq. Këtë të fundit e liruan plotësisht nga akuzat e Kasaloviqin e dënuan vetëm 1 vit me kusht pasi i njëjti ishte parë nga policët kosovarë në vendin e ngjarjes dhe të njëjtit ishin besuar nga gjykata.
Në të dy proceset vendimet merreshin nga gjyqtarë të EULEX-it.
Organet e drejtësisë kosovare nuk iu ranë në cak kurrë as Radomir Bozhoviq e Dushan Jovanoviq.
Ndërkohë, i pazbardhur ka mbetur edhe rasti i vrasjes së doganierit nga Lituania, Audrius Shenaviçius. Ai mbeti i vdekur në afërsi të Zveçanit, pas një sulmi ndaj një ekipi të EULEX-it që po udhëtonte për në Jarinjë, në 19 shtator 2013.
Meqë drejtësia ende nuk e ka kryer punën e vet, misioni i sundimit të ligjit sivjet e ka rritur shpërblimin në 82 mijë euro për këdo që bashkëpunon në zbardhjen e këtij rasti.