Ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë është përcjellë me shkelje dhe tejkalime të shumta ligjore, si dhe dëmtime të rrjedhës së lumenjve, e shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.
Këto janë disa nga gjetjet e një raporti të hartuar nga një grup punues i formuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në këtë raport, që para pak ditësh i është dorëzuar ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, e të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, janë shqyrtuar të gjitha procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale si dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis.
Raporti rekomandon që të ndërpritet operimi i të gjitha hidrocentraleve që operojnë pa leje mjedisore, si dhe të hetohen të gjithë zyrtarët për shkeljet ligjore, që kanë karakterizuar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.
Grupi punues po ashtu kërkon që të shfuqizohen të gjitha aktet e lëshuara në kundërshtim më ligjin, si dhe vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, deri në miratimin e planeve për menaxhimin e pellgjeve lumore.
Në rast se gjetjet e raportit merren parasysh nga Qeveria, atëherë shumica e hidrocentraleve do të jenë të obliguara që për një afat të pacaktuar, të ndalin punën e tyre.
Hidrocentralet e Deçanit me shumë shkelje
Prej kohës kur filloi ndërtimi i hidrocentraleve në atë që njihet si Gryka e Deçanit, pati kundërshtime të banorëve të zonës, mirëpo kjo nuk i pengoi institucionet, e as autoritetet lokale që të lejojnë ndërtimin e tyre.
Për hidrocentralet që ndodhen në rrjedhën e Lumëbardhit në Deçan, në raportin e grupit punues, konstatohet se përveç që është dëmtuar rrjedha e lumit dhe nuk është respektuar minimumi ekologjik, po ashtu kanë ndodhur shkelje ligjore në ndërtimin e objekteve të hidrocentraleve.
“Ndërtesat e dy HC (Lumëbardhi II dhe Belaja), janë ndërtuar në pronë ujore në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat (neni 48) 12, që përcakton distancën prej minimum 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotave (ujërat 100-vjeçare)”, thuhet në raport.
Kundërligjore te këto hidrocentrale ka rezultuar të jetë edhe një marrëveshje për shfrytëzim të tokës pyjore që kompania Kelkos Energy, kishte nënshkruar me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.
Sipas raportit, shpeshherë, hidrocentralet kanë bërë ndërhyje në projekt pa pëlqimin e Ministrisë.