I dërguari i posaçëm evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ai amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe këshilltarët e presidentit francez, Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, gjatë takimeve që zhvilluan në Kosovë e Serbi, kërkuan normalizim të marrëdhënieve dhe zbatim të marrëveshjes.
Diplomatët dhe mikpritësit e tyre në Prishtinë dhe në Beograd thanë se ata paraqitën një plan për rrugën përpara, por pa dhënë hollësi.
Në fund të takimit në Prishtinë, u vu re një dallim mes diplomatëve perëndimore të cilët vunë theksin te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i cili vuri theksin te siguria e vendit.
I dërguari evropian Lajçak, tha se ngjarjet e 24 shtatorit e kanë bërë të qartë se shtensionimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, janë tani më urgjente se kurrë.
“Çdo kusht apo vonesë është i papranueshëm dhe ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre nga dialogu. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshje në rrugën e normalizimit më herët këtë vit”, tha Lajçak në Prishtinë duke nënvizuar se kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian.
“Dhe ne këtu e theksuam nevojën për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë. Pa këtë nuk do të ketë të përparim në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet tona”, tha ai.
Qeveria e Kosovës përmes një komunikate citoi kryeministrin Albin Kurti të ketë thënë se “përparësi kryesore dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit”.
Sipas qeverisë, kryeministri Kurti theksoi “që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re.
“Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, para disa javësh, presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se topi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të duhej të kalonte në fushën e SHBA-së.
E para e shtetit tha në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës se SHBA-ja do të duhej të merrte rol udhëheqës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Këtë rol, tash e dymbëdhjetë vjet, e ka Bashkimi Evropian.
“Mendoj se zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në dhe ta përgatisim draft-statutin e Republikës së Kosovës” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha Osmani më 27 shtator.