ATK synon zbritjen e stokut të borxheve, mbledh mbi 35 milionë euro më shumë se planifikimi i Qeverisë

ATK synon zbritjen e stokut të borxheve, mbledh mbi 35 milionë euro më shumë se planifikimi i Qeverisë

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën prezantuan rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-dhjetor 2021.



Ata thanë se plani i paraparë për këtë vit është tejkaluar për 35 milionë euro, ndërsa të hyrat për këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shënojnë një rritje për 124 milionë euro apo 26.6 për qind.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se përkundër që ky vit ka qenë sfidues për shkak të pandemisë dhe problemeve tjera, ky institucion ka arritur ta tejkalojë planin e paraparë nga Qeveria.

Rritje të hyrave në raport me periudhën e njëjtë të 2020 ka pasur për 124.3 milionë, ndërsa në raport me 2019 për 87.1 milionë.

Tutje Murtezaj ka thënë se inkasimi i borxheve në total kao shifrën e 130.9 milionë euro.

“ATK ka kaluar në shumë sfida për shkak të pandemisë, megjithatë jemi angazhuar që krahas reformave brenda ATK, të arrijmë tejkalimin e planit të paraparë nga Qeveria. Mbledhja e borxheve si reforme e ATK-së, ngritja e llogaridhënies, janë disa nga reformat që janë ndërmarrë nga ATK Jemi në proces të riformimit të IT-së, ku kjo reformë do ta ngritë ATK-në më lartë, e që i kemi pranuar tri komponentë, dhe vitin e ardhshëm do të fillojë implementimin këtyre moduleve. Gjithashtu kemi punuar në lehtësimin për tatimpaguesit”, tha Murtezaj.

“Te hyrat dhe kontributet pensionale për janar-dhjetor 2019-2021. ATK ka arritur t’i inkasojë 591 milionë euro të hyra të realizuara, ndërsa 209 milionë euro kontribute pensionale. Ndërsa në vitin 2020, të hyrat e realizuara kanë qenë 467 milionë euro, ndërsa kontributet pensionale kanë qenë 195 milionë euro. Rritje për këtë vit kanë pasur edhe qarkullimi i bizneseve, ku këtë vit ky qarkullim është rritur për 33.2 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Inkasimi i borxheve nga ATK-ja për këtë vit është 130 milionë euro”, ka thënë tutje ai.

Tutje ai ka thënë se afro 3 mijë kërkesa janë pranuar nga bizneset për të përfituar nga pakot për Ringjalljen Ekonomike, për afro 10 mijë punëtorë.

Related Articles