Skuadra e Gjilanit ka vijuar me përgatitjet për duelin e radhës të xhiros së nëntë në BKT Superligën e Kosovës në futboll, derisa do të jetë nikoqir i skuadrës së Ballkanit, raporton Gazeta Enigma.
Ekipi i drejtuar nga Ismet Munishi është rikthyer në stërvitje pas miqësores së fituar në vikend ndaj Vllaznisë së Pozheranit (3-1), teksa me pjesën tjetër të skuadrës janë bashkuar edhe dy futbollistë nga lëndimet.
Edison Kqiku dhe Arbër Prekazi, janë rikthyer në stërvitje, derisa kanë punuar të diferencuar nga pjesa tjetër e grupit, gjithsesi një lajm tejet pozitiv për stafin teknik.
Kqiku, i cili luan në rolin e sulmuesit të krahut ishte lënduar në duelin e xhiros së parë ndaj Drenicës, teksa tashmë pritet të rikthehet në aksion pas më shumë se dy muajsh, ndërkohë Prekazi ndodhet në rikuperim e sipër nga lëndimi të cilin e pësoi në ndeshjen derbi ndaj Dritës.
Atmosfera duket fantastike në kampin gjilanas, të cilët këtë edicion kanë objektiva madhor. /Gazeta Enigma/