Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se përzgjedhja e Ngadhnjim Kastratit si drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës në vitin 2019 ka qenë i jashtëligjshëm.
Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së e emëron Bordi i RTK-së në bazë të ligjit dhe sipas procedurave të caktuara, të parapara me konkurs publik. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-se emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit.
Bordi i RTK-së duhet të ketë 11 anëtarë por në kohën e përzgjedhjes së Kastratit, i ka pasur vetëm 7 anëtarë. Të njëjtit kanë qenë edhe pjesë e komisionit për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm.
Në konkursin ku ishte përzgjedhur Kastrati, kishin aplikuar 9 kandidatë dhe pas testimit me shkrim ishin përzgjedhur 7 kandidatë për intervistë. Nga këta 7 kandidatë janë përzgjedhur dy kandidatë të cilët i janë nënshtruar procesit të votimit nga anëtarët e bordit të RTK-së.
Në votim Kastrati kishte marrë gjashtë vota pro dhe një votë kundër. Sipas Ligjit të RTK-së,
bordi në RTK përbëhet nga 11 anëtarë dhe për të emëruar apo shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm
duhen 2/3 e votave të anëtarëve të bordit.
“Mosrespektimi i Ligjit të RTK-së sa i përket përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm mund të
ndikojë në përzgjedhjen e kandidatit i cili rrezikon marrjen e vendimeve të gabuara për çështje
të rëndësishme që i takojnë pozitës më të lartë menaxheriale”, thuhet në gjetjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ngadhnjim Kastrati është shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm në janar të vitit 2022.