Besnik Berisha, avokati i të zhdukurit Bedri Rexhepi, ka thënë se dyshojnë që ky i fundit është rrëmbyer dhe në mënyrë tinëzare është ekzekutuar nga më shumë se një person.
I ftuar në në RTV Dukagjini, Berisha është shprehur se beson që janë mbledhur prova të mjaftueshme që ky rast të procedohet në Gjykatë ditëve në vijim.
“Gjatë hetimeve janë hasur mbetje mortore, të cilat dyshohen se i takojnë Bedriut”, ka thënë ai.
Ndërsa, sa i përket raportimeve se Jeton Vllasaliu ka pranuar vrasjen e Bedri Rexhepit, Berisha ka kërkuar mirëkuptim për të gjithë të interesuarit në këtë çështje duke shtuar se veprimet hetimore janë drejt fundit.
Berisha ka treguar se brenda 10 ditëve do të ketë një aktakuzë, e cila do të konkretizoj dyshimet e secilit.
I pyetur për motivet e vrasjes, Berisha ka thënë se dyshon që motivet janë pasurore, në mënyrë që t’ia marrin pasurinë Bedri Rexhepit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të premten se ka gjetur disa mbetje mortore të dekompozuara, të cilat dyshohet se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” të biznesmenit Bedri Rexhepi.
Sipas njoftimit, mbetjet mortore janë gjetur në një zonë kodrore-malore të Novobërdës.
Këto mbetje do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e tyre.