Lëvizja “FOL” ka publikuar raportin “Efikasiteti i Avokaturës Shtetërore gjatë vitit 2020”.
Albana Hasani hulumtuese në “FOL” ka paraqitur të gjeturat për punën e Avokaturës Shtetërore.
Sipas saj, gjykatat kanë nxjerrë 1 515 aktgjykime, ku palë kishin qenë institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore.
Nga këto aktgjykime, institucioni i Avokaturës Shtetërore i kishte fituar 516 raste, 431 i ka humbur, ndërsa 222 raste nuk kishin marrë ende epilog gjyqësor.
“Gjatë periudhës janar-dhjetor 2020, në rastet ku palë kanë qenë institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore, janë krijuar gjithsej 2 180 të reja. Numri më i madh i këtyre lëndëve të krijuara gjatë vitit 2020 ishin nga procedura jo-kontestimore (708 lëndë), duke u pasuar nga lëndët e procedurës administrative(632 lëndë), kontestimore (599 lëndë), përmbarimore (174 lëndë) dhe në fund, nga lëndët e procedurës penale (68 lëndë). Gjatë kësaj periudhe, Gjykatat e Republikës së Kosovës kishin sjellë 1 515 aktgjykime, ku palë kishin qenë institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore”.
Ajo ka sqaruar se nga këto përfaqësime, institucionet kishin fituar gjithsej 12 849 600.80 euro, kurse shuma e paguar nga institucionet shtetërore palëve që kanë pasur sukses në kontestet gjyqësore në vitin 2020 ishte 3 507 645.10 euro.
“Nga këto aktgjykime, institucioni i Avokaturës Shtetërore i kishte fituar 516 raste, 431 i ka humbur, ndërsa 222 raste nuk kishin marrë ende epilog gjyqësor (prej tyre janë kthyer në rigjykim 99 lëndë, në rishqyrtim 25 lëndë dhe 98 lëndë në rivendosje). Nga këto përfaqësime, institucionet e Republikës së Kosovës kishin fituar gjithsej 12 849 600.80 €”.
“Ndërkaq shuma e paguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës palëve që kanë pasur sukses në kontestet gjyqësore në vitin 2020 ishte 3 507 645.10 €”.
“Gjatë kësaj periudhe ishin sjell edhe 234 vendime nga procedura e shpronësimit (vlera totale e të cilave ishte 15,659,997.38 €) dhe 83 vendime të përmbarimit (me vlerë prej 3,543,716.42 €). Nga aktgjykimet e marruar në vitin 2020, institucionet shtetërore (të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore) ishin paraqitur si palë e paditur në 1 430 lëndë, ndërsa në 162 lëndë si palë paditëse”.
Pesë institucionet shtetërore që më së shumti janë përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore në lëndët që kanë përfunduar me epilog gjyqësor ishin: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; Qeveria e Republikës së Kosovës; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Infrastrukturës si dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.
“Pesë institucionet shtetërore që më së shumti janë përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore në lëndët që kanë përfunduar me epilog gjyqësor gjatë vitit 2020 ishin: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (në 533 raste), Qeveria e Republikës së Kosovës (në 299 raste), Ministria e Punëve të Brendshme (në 134 raste), Ministria e Infrastrukturës (në 106 raste), si dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (në 85 raste)”.
“Aktualisht në Avokaturën Shtetërore, përveç Avokatit të Përgjithshëm Shtetëror, eprojne edhe 11 punëtorë, 9 prei të cilëve janë avokatë shtetëror, ndërsa 3 të tjerë zyrtarë të lartë ligjor.
Hasani poashtu ka paraqitur edhe rekomandimet kryesore që FOL ka për Avokaturën Shtetërore.
“Të rritet transparenca e Avokaturës Shtetërore në ueb-faqen zyrtare të ministrisë së Drejtësisë, duke i paraqitur dhe shpërfaqur të gjitha informatat dhe dokumentet e karakterit publik, duke përfshirë edhe raportin mbi shfrytëzimin e buxhetit shtetëror, dokumentet strategjike, informatat nga prokurimet publike, raportet vjetore, të dhënat në lidhje me të punësuarit, raportet mbi punën e avokatëve shtetëror, si dhe të dhëna të tjera të domosdoshme për informimin e publikut”.
“Çështja e rritjes së numrit të të punësuarve në Institucionin e Avokaturës Shtetërore, duke përfshirë edhe rritjen e numrit të avokatëve shtetëror, të merret me prioritet”.
Sami Istrefi nga Avokatura Shtetërore, tha se po ballafaqohen me mungesës të stafit.
Sipas tij, ky institucion është jashtëzakonisht i rëndësishëm prandaj edhe duhet trajtim i denjë nga institucionet përgjegjëse.
“Të gjeturat që keni gjetur i keni marrë në bazë të publikimeve që ne kemi bërë në ueb faqen e ministrisë së Drejtësisë. Ne prioritet e kemi që të jemi sa më të hapur me punën që bëjmë. Po ballafaqohemi me problem të mungesës së stafit”.
“Ne gjatë vitit 2019/20 kur kam marrë detyrën kam gjetë vetëm 4 avokat kurse tani kemi 9 dhe tani është e pamundur të kryhen detyrat dhe përgjegjësitë siç duhet. Ne në takimet tona qeveritare jemi munduar t’i paraqesim këto probleme. Ky institucion është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe duhet të ketë trajnime për afatin pasi ata janë në pozitë jo të mirë në përfaqësimin e punës së tyre”.