Avokati i Kadri Veslit, Ben Emmerson është shprehur i pakënaqur me veprimet e Prokurorisë së Dhomave të Specvializuara të Kosovës sa i përket vonesës në zbulimin e materialeve të domosdoshme për mbrojtjen, shkruan Gazeta Enigma.
Emmerson ka thënë se nuk duhet të lejohet që Pokuroria të adoptojë praktika kur materialet i zbulon pak kohë para dhënies së dëshmisë para trupit gjykues.
“Është e rëndësishme që ZPS-ja të mos lejohet të adoptojë praktikë të nxjerrë materiale pak kohë para se të vijë një dëshmitar për të dhënë dëshminë para trupit gjykues. Çështja është e rëndësishme dhe duhet të analizohen ato që nxjerren”, ka thënë ai.
“Ne jemi të shqetësuar se kur flitet për kërkime të posaçme, ZPS-ja nuk i ka përfunduar këto kërkime. Në këtë mënyrë, gjuha e përdorur mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Në qoftë se materialet nxirren gjatë gjykimit, ato që do duhej të nxirreshin tani, kjo do të krijojë vonesa të konsiderueshme gjatë procesit të gjykimit. Na duhet ta pezullojmë pastaj çështjen”.
Emmerson thotë se ekzistojnë prova nga procesverbalet që shërbimet e zbulimit serb kanë kërkuar që ta korruptojnë dëshminë para trupit gjykues.
“Një dëshmitar e ka pranuar atë. Dëshmia e tij ishte e rreme. Ne nuk e pranojmë pohimin që Serbia i ka të gjitha dëshmitë”, tha ai.
Madje, avokati i ish-kreut të UÇK-së, Kadri Veseli, pretendon se Prokuroria ka bashkëpunuar me një kriminel lufte të Serbisë.
“Serbia është problem në vetvete në lidhje me rregullën 103. Mendoj që ka jurisprudencë të bollshme në lidhje me atë sa i takon kur bëhet vlerësimi i besueshmërisë së provave nga Serbia. Bashkëpunimi i ZPS-së me një kriminel lufte serb është shqetësues dhe të çon në përfundimin se është një problem themelor që duhet zgjidhur, dhe duhet zgjidhur tani”, ka thënë Emmerson.