Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka njoftuar se brenda tri ditëve pritet të dalin mjetet për punëtorët teknik të spitaleve në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Ndryshe, ky afat tre ditor është i fundit që Sindikata e Sektorit Privat i ka dhënë Ministrisë së Shëndetësisë për këto pagesa të premtuara.
“Ju njoftojmë se mjetet për punëtorët teknik në Spitale, QMF dhe Ambulanta, nga Qeveria e Kosovës për rundin e dytë që është dashur të paguhen gjer me 4 Prill, pas diskutimeve me Ministrinë e Shëndetësisë ato mund të dalin më së largu edhe 3 ditë”, tha Azemi.
Ai tha se u pajtohen me këtë vendim, duke theksuar se nëse nuk paguhen do të ndëpritet puna.
“Ne u pajtuam se do të presim edhe 3 ditë e nëse ato nuk paguhen ne automatikisht do ta ndërpremë punën, mirëpo Ministria e Shëndetësisë garanton se deri te kjo nuk do te vijë”, ka shtuar ai.