Një përleshje brutale ka ndodhur në një familje në Bardhosh të Prishtinës, derisa si pasojë e një mosmarrëveshje babai (65 vjeçar) po dyshohet se ka tentuar ta vrasë të birin e tij, duke e goditur me sëpatë.
Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit nga QKUK-ja që kanë njoftuar se viktima, 35-vjeçar është pranuar në këtë qendër me plagë në kokë, me ç’rast mjekët janë intervenuar dhe gjendja e tij fatmirësisht është stabile.
Kësaj ngjarje të rëndë dyshohet se i kishte paraprirë një debat mes palëve, ku bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë babai i tij e kishte kërcënuar se do ta vrasë. Ashtu edhe tentoi, ku pas këtij konflikti ai dyshohet se iu vërsul me sëpatë.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar Policia posa ka marrë informacionet për rastin, ku ka konfiskuar mjetin që e kishte përdorur i dyshuari, ndërkaq i njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe më pas me urdhër të prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën “vrasje në tentativë”.